Prodhimi bujqësor ka shënuar rritje me 4% gjatë 6-mujorit të parë

buqesiBujqësia rezulton ndër sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare që ka shënuar rritje progresive të qëndrueshme.

Referuar statistikave dhe të dhënave të fundit nga dikasteri i Bujqësisë, në 6- mujorin e parë të këtij viti prodhimi bujqësor vendas u rrit rreth 4%, kurse nga vëllimi i eksporteve u rrit rreth 10%, ndërkohë disa sektorë siç është ai i perimeve të freskëta dhe i zarzavateve kanë zgjerim rreth 17-18%.

Ekspertët e fushës shprehen se është koha e bujqësisë, një sektor që mund të konsiderohet ndër motorrët kryesorë të ekonomisë shqiptare, referuar kjo dhe treguesve”. Burime nga Ministria e Bujqësisë bëjnë të ditur se, së fundmi po vihet re një interes i madh i investitorëve vendas e të huaj për të investuar në bujqësi. “Ka një vëmendje të madhe ndaj investitorëve shqiptarë, por edhe të huaj për të investuar në bujqësi dhe kjo është e kuptueshme. Në radhë të parë, kjo lidhet me tendencën e pashmangshme të ekonomisë shqiptare për t’u kthyer nga një ekonomi shërbimesh në një ekonomi prodhuese dhe bujqësia ofron mundësinë e prodhimit, tregtimit, agropërpunimit dhe kthimit të të ardhurave”, shprehen ekspertët. Në këtë pikëpamje theksojnë ata, është një tendencë, që duhet inkurajuar, por edhe që duhet orientuar, në mënyrë që të kryejë investime të mirëmenduara mbi bazën e planeve të biznesit dhe mbi bazën e perspektivave të qarta të prodhimit, tregtimit dhe të eksportit.

Vëmendja kryesore e investitorëve të huaj, por edhe e atyre vendas, është orientuar drejt perimeve të freskëta, sepse statistikat tregojnë se ky sektor ka një rritje të vrullshme. Në tremujorin e parë u shënua një rritje prej 53% dhe, në total tashmë kemi një rritje mbi 20%, por tani me hyrjen në lojë të prodhimeve të vjeshtës së vonë të gjithë treguesit dëshmojnë për një zgjerim të vrullshëm në krahasim me një vit më parë.

Në raport me dy vite më parë, rritja e sektorit është mbi 200%. Pra sot bujqësia është një sektor ku ia vlen të investosh, kryesisht në ndërtimin e serave. Serat bëjnë të mundur që të trefishohet prodhimi i perimeve për njësi të sipërfaqes dhe njëkohësisht sera bën të mundur edhe daljen përpara të prodhimit në krahasim me prodhimin normal, rreth 2 muaj më përpara, gjë që e bën atë konkurrues dhe të kërkuar nga tregjet ndërkombëtare.

Zhvillimi i serave në këndvështrimin e ekspertëve po kthehet në prioritet të mbështetjes përmes skemave subvencionuese edhe nga ministria e Bujqësisë, e cila ka rritur fondet buxhetore në mbështetje të fermerëve që merren me bujqësi për rritjen e prodhimit dhe eksporteve nga ky sektor.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment