Presidenti Iliri Meta: “Shqipëria si simbol i bashkëjetesës ndërfetare, mund të luajë një rol të rëndësishëm në dialogun ndërmjet dy brigjeve të Mesdheut”

Presidenti Iliri Meta në intervistë për gazetën “Ahram”. Shqipëria si simbol i bashkëjetesës ndërfetare, mund të luaj një rol të rëndësishëm në dialogun ndërmjet dy brigjeve të Mesdheut

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Ilir Meta ka dhënë një Intervistë për gazetën Egjiptiane “Ahram”. Gjatë kësaj interviste z. Meta i është përgigjur pyetjeve të gazetarit Ahmed Sulejmani në lidhje me çështjet që shqetësojnë Rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe qëndrimet e shtetit Shqiptar me çështjet e vendeve të Lindjes së Mesme.

Zoti President, ju ishit për vizitë në Egjipt këtë, vit ku u takuat me Presidentin Sisi, Cilat janë përshtypjet tuaja rreth asaj vizite?

Jam shumë i kënaqur me vizitën në Egjipt, optimist për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve me potenciale dhe mundësi të pashfrytëzuara akoma. Jam i sigurtë se marrëdhëniet midis Kairos dhe Tiranës do të jenë të shkëlqyera në vazhdimësi. Egjipti është një partner shumë I rëndësishëm për Shqipërinë për shkak të ndikimit të madh që ai ka në të gjithë Kontinentin Afrikan dhe botën arabe.

Shqipëria nuk është një vend i madh që të ketë marrëdhënie me të gjitha shtetet afrikane apo arabe, por përmes miqësisë me Egjiptin mund të kemi marrëdhënie të mira me miqtë e Egjiptit. Edhe për Egjiptin, Shqipëria është një vend i shumë rëndësishëm jo vetëm si Shqipëri, por për të gjithë rajonin e Ballkanit duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, Kosovën, e kudo ku jetojnë shqiptarët. Gjithashtu shqiptarët që jetojnë në Egjipt, studentët që kanë studiuar atje dhe janë kthyer në Shqipëri kanë rolin e tyre kontribues për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.

Egjipti, pas disa viteve të paqëndrueshme për fat të keq, ka hyrë në rrugën e stabilitetit dhe zhvillimit, e po punon me shpejtësi për të rifituar kohën e humbur si dhe dëmet e mëdha që ju shkaktuan në ekonomi dhe turizëm. Vizitova disa projekte të mëdha infrastrukturore, kanalin e Suezit, muzeun e madh, dhe në vlerësimin tim Egjipti është në një rrugë të mbarë dhe kjo ka vlerë jo vetëm për Egjiptin por për të gjitha vendet e Mesdheut, duke përfshirë dhe Shqipërinë.

Shqipëria është një vend i rëndësishëm në rajon (Europë dhe Mesdhe), cilat janë prioritet dhe roli i politikës së jashtme shqiptare në të ardhmen?

Pa dyshim, Shqipëria është një vend i rëndësishëm në Mesdhe ku ndërlidhen tre kontinente, sikurse pozita e Shqipërisë është e rëndësishme në Mesdhe, Ballkan dhe Europë dhe këtu nis roli i rëndësishëm që ka Shqipëria për të luajtur, por edhe për shkak të historisë, kulturës që na lidh me shumë vende të tjera të Europës të cilat gjeografikisht nuk janë në Europë. Shqipëria si një vend simbol i bashkëjetesës ndërfetare, mund të luaj një rol të rëndësishëm në këtë aspect sepse toleranca dhe bashkëjetesa janë tepër të rëndësishme për të gjithë rajonin e Mesdheut.

Gjithashtu, Shqipëria si vend turistik njeh rëndësinë e ruajtjes së mjedisit në detin e përbashkët. Me antarësimin në BE Shqipëria mund të luajë një rol të rëndësishëm në dialogun ndërmjet dy brigjeve të detit të Mesdheut.

Shumë vende kanë pritur për një kohë të gjatë në dyert e Europës, ndërkohë që unioni

po përballet me disa sfida tashmë, si e shihni gjendjen aktuale të bashkimit europian?

BE nuk është në gjendjen më të mirë të mundëshme, por përsëri është ndoshta projekti më i suksesshëm i njerëzimit ku kombinohet zhvillimi ekonomik me të drejtat e njeriut dhe të drejtat

shoqërore. Ne besojmë se BE do ta gjejë veten në një pozitë më të mirë falë reformave që do të ndërmarri. Përsa i përket Shqipërisë ne besojmë se do të jemi antarë të unionit në një të ardhme. BE e ka bërë të qartë më shumë se një herë, se Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e tij në të ardhmen dhe kjo nuk përbën asnjë barrë për unionin pasi sipërfaqa e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor është sa ajo e Rumanisë.

Nëse Ballkani Perëndimor i bashkohet unionit si do të jetë situata gjeopolitike në

ballkan?

Është e rëndësishme të ketë një kujdes më të madh, jo vetëm në cfarë ndodh në hapësirën e Unionit Europian, por dhe jashtë tij, në vendet dhe rajonet fqinje me të. Unë besoj se nga krizat në Lindjen e Mesme, vecanërisht në Siri dhe Libi, vetë Bashkimi Europian ka marrë mësime të rëndësishme që në të ardhmen do të reflektojë në politikën e tij të fqinjësisë dhe politikën e jashtme me të gjitha rajonet fqinje, duke parandaluar kriza të mundëshme.

Kriza e emigrantëve të paligjshëm është një shembull i asaj që ndodh pranë kufinjve të unionit. Zgjidhja në të ardhmen do të konsistojë në krijimin e stabilitetit tek ato vende që janë burim I emigracionit. Zgjidhja duhet të bëhet në vendet e origjinës së këti emigracioni, para se të vërshojnë jashtë kufinjve të tyre.

A mendoni se ka premisa për stabilitet në Libi?

Patjetër, është e mundur, por dua të theksoj se zgjidhja qëndron në unifikimin e qëndrimit të vendeve të mëdha të BE. Nëse unifikohen politikat e vendeve europiane me qëllim që ti jepet fund krizës, kjo do të ndikojë për një zgjidhje të shpejtë të problemit.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet e rajonit të ballkanit si Turqia dhe Greqia

ndiqen me interes, si i vlerësoni marrëdhëniet e Tiranës me Athinën dhe Ankaranë?

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë shumë të rëndësishme. Ne kemi qenë dhe do mbetemi vende fqinje. Jemi dy vende anëtare të NATO-s. Ata janë vende anëtare të BE-së ku duam të anëtarësohemi dhe ne. Ekziston një pakicë greke në Shqipëri, por ka dhe një numër të madh shqiptarësh që jetojnë në Greqi. Marrëdhëniet mes nesh janë të forta dhe të qëndrueshme.

Po ashtu marrëdhëniet tona me Turqinë janë historike. Ne kemi marrëdhënie me interesa të përbashkëta të mëdha tregtare e ekonomike dhe jemi dy vende anëtare të NATO-s. Ne jemi të kujdesshëm të ruajmë marrëdhënie të mira me të dy vendet. Dua të theksoj qartë se është e  rëndësishme për Shqipërinë që problemet e brendëshme të vendeve të tjera të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona me ta. Shqipëria nuk ka për detyrë të veprojë si gjyqtar në konfliktet dhe problemet e brendëshme që ndodhin në vendet e tjera, përkundrazi roli jonë është forcimi I marrëdhënieve politike dhe ekonomike me vendet fqinje me të cilat kemi interesa të përbashkëta, bazuar në parimet e reciprocitetit dhe interesit të përbashkët.

Zoti President, si e shihni gjendjen ekonomike të Shqipërisë?

Ekonomia shqiptare duhet të jetë në një gjëndje më të mirë nga c’është tani. Ne kemi potenciale të mëdha për t’u shfrytëzuar për rritjen e mëtejshme ekonomike sepse nuk jemi një vend shumë i zhvilluar ekonomikisht. Bazuar në këto potenciale, punojmë që Shqipëria të kthehet në qendër për investime ekonomike në të gjithë rajonin e Ballkanit, me qëllim rritjen e zhvillimit të vendit. Ne kemi, jo vetëm pozicionin gjeografik atraktiv dhe burime natyrore, por edhe burime njerëzore të mjafrueshme, por duhet të investojmë më shumë në kapitalin njerëzor për t’iu përgjigjur më mire ringjalljes së nevojshme ekonomike.

Zoti President, Shqipëria, nga monarkia kaloi në komunizëm, nga vend i angazhuar në demokraci, cili është identiteti kulturor i Shqipërisë referuar pozicionit të saj midis dy kulturave të mëdha, Athinës dhe Romës?

Identiteti shqiptar është identitet thellësisht europian. Është një identitet i përcaktuar në mënyrën më të qëndrueshme nga heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu para qindra viteve. Fakti që i ka mbijetuar gjithë presioneve, luftrave, konflikteve, përplasjeve, e perandorive, tregon se Shqipëria ka personalitetin e saj të fortë kombëtarë dhe identitarë.

Si e vlerësoni ngritjen e të djathtës popullore në Europë?

Rritja e të djathtës tregon dështimin e të majtës. E majta ishte ajo forcë promotore që coi në modernizimin dhe zhvillimin e Europës e cila nuk ka arritur ti paraprijë thelbit të zhvillimeve dhe dinamikës së kërkesave të qytetarëve europianë, dhe kjo ka bërë që në një farë mënyre Europa të jetë viktimë e burrokratizimit të saj, duke humbur ndjeshmërinë ndaj të drejtave qytetarëve , por mendoj se kjo gjendje nuk do ta ndalojë kontinentin të rigjejë rrugën dhe fuqinë e duhur për të ardhmen.

Në Europë janë shfaqur dy fenomene të dukshme, ekstremizmi islamik dhe ekstremizmi anti-islamik, fondamentalizmi dhe islamofobia, si e vlerësoni këtë dualizëm të rrezikshëm?

Besimet janë të ndryshme por Zoti është një. Nuk duhet të abuzohet me fenë nga cilado forcë. Secili është i lirë në atë që beson dhe duhet të respektojë besimin e tjetrit. Të gjithë duhet të jetojnë në paqë me njëri-tjetrin. Respekti reciprok dhe bashkëjetesa janë e vetmja zgjidhje.

Shqipëria ka marrëdhënie të forta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në Ballkan është prezent ndikimi rus e kinez. Si e projektoni të ardhmen e Shqipërisë mes këtyre tri fuqive?

Shqipëria është në vendin e saj, aty ku ka qenë ndër shekuj. Ka të drejtë të zgjedhë sipas interesave të saj, dhe Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e saj. Ne jemi vend anëtarë i NATO-s dhe aspirojmë të jemi anëtare e ardhshme e BE, por bota është më e madhe sa kaq dhe ne duam miqësi me të gjkithë ata që respektojnë zgjedhjet tona.

Shqipëria e madhe…është një tezë rreth të cilës disa intelektualë promovojnë idetë e tyre ekspansioniste. Sa reale është kjo tezë?

Të gjithë shqiptarët e Ballkanit kanë një projekt të përbashkët, integrimin në BE. Ne jetojmë mes popujve dhe nacionalitete të tjera në Ballkan. Në rajonin tonë ide si ajo e “Shqipërisë së Madhe” nuk funksionon dhe nuk mund të realizohet. Edhe më parë ka dështuar projekti i “Serbisë së Madhe”. Në këtë rajon, cdo komb është shumicë në një shtet dhe pakicë në një shtet tjetër. Është e pamundur të gjesh një shtet “etnikisht të pastër” në Ballkan, ndaj mendoj se është cmenduri të flasim për projekte të tilla pas gjithë atyre eksperiencave aq tragjike që kemi përjetuar më parë. E ardhmja jonë është bashkëjetesa mes popujve dhe heqja e kufinjve mes shteteve ballkanike.

Kohë më parë ju keni paralajmëruar mbi përpjekjet për përcarjen e klasës politike dhe krijimin e shtetit paralel në Shqipëri dhe Kosovë. A keni ndonjë koment për këtë?

Ne jetojmë në një botë ku ndikimi i figurave jopolitike është rritur. Po ashtu është rritur ndikimi i aktorëve të jashtëm, vecanërisht OJQ-të. Ky është një nga rreziqet e mëdha të globalizmit, sidomos për vende jo të mëdha si Shqipëria. Ndaj mendoj se është shumë e rëndësishme të mbrohet sovraniteti i popullit në mënyrë që të ruhet sovraniteti i shtetit, që të mos kemi shtete të dështuara për shkak të këtyre projekteve private. Këtu qëndron dhe rëndësia e demokracisë, e cila mbron vullnetin e popullit dhe shtetin nga shkatërrimi prej atyre duarve që nuk e përfaqësojnë atë.

Zoti President, së fundmi si e vlerësoni tezën e Samuel Hangtintonit mbi përplasjen e qytetërimeve?

Forca të errëta përpiqen të instrumentalizojnë fenë dhe besimin për të krijuar përplasje për arsye politike, hegjemonie e ekonomike dhe aspak fetare sic trumbetojnë. Nëse këto forca do e realizonin projektin e tyre, kjo do të sillte shkatërrimin e njerëzimit. Prandaj duhet të qëndrojmë fort përballë këtyre forcav,e në mbrojtje të njerëzimit, botës dhe përparimit. Në Shqipëri nuk ka përplasje. Këtu bashkëjetojnë e nuk përplasen kulturat, dhe ne shpresojmë të jemi model për të tjerët.

Al-ahram, 22.10.2019

Submit a comment