Portugali, Parlamenti i kërkon qeverisë të njohë shtetin palestinez

PortugaliParlamenti portugez miratoi sot një rekomandim ku i kërkon qeverisë të njohë shtetin palestinez, me vota të maxhorancës dhe një pjesë të opozitës.

Mocioni, i paraqitur bashkarisht nga maxhoranca e qendrës së djathtë në pushtet dhe nga Parita Socialiste, partia kryesore opozitare, propozon njohjen, në koordinim me BE-në, e shtetit palestinez si një shtet i pavarur dhe sovran.

“Ekzekutivi duhet të vazhdojë të promovojë dialogun dhe bashkjetesën paqësore të dy shteteve demokratike”, Izraelit dhe Palestinës, vlerësuan deputetët, duke shtuar se vetëm negociatat mund të garantojnë sigurinë dhe paqen në këtë rajon.

Qeveria portugeze do të zgjedhë momentin e duhur për të njohur shtetin palestinez, reagoi menjëherë ministri portugez i Punëve të Jashtme, Rui Machete, para deputetëve.

Vota e parlamentit portugez vjen në kuadrin e një lëvizje globale në Evropë, një ditë pas një iniciative të ngjashme të Senatit francez, dhoma e dytë e parlamentit francez, dhe disa ditë pas asaj të Asamblesë Kombëtare franceze.

Të mërkurën, deputetët irlandezë kishin miratuar gjithashtu një kërkesë për qeverinë e tyre që të njohë shtetin palestinez, duke ndjekur parlamentarët britanikë dhe spanjollë.

Situata u tensionua të mërkurën mes izraelitëve dhe palestinezëve pas vrasjes së Ziad Abou Ein, një përgjegjës i lartë palestinez, që vdiq gjatë përplasjeve me ushtarët izraelitë gjatë një manifestimi kundër kolonizimit të Cisjordani-së.

Submit a comment