Porositë e 2 profesorëve: Politika të mbajë duart larg nga historia

Ksenofon Krisafi Mareglen Verli

Politika të qëndrojë sa më larg rishkrimit të historisë. Ky është qëndrimi që vjen nga Mareglen Verli dhe Ksenofon Krisafi që përcjellin disa këshilla për historianët.

Akademiku i asocuar Mareglen Verli dhe dekani i Fakultetit Juridik në UET, Ksenofon Krisafi, për rishkrimin e historisë, kanë të njëjtin qëndrim: politika të qëndrojë sa më larg saj.

Janë në një mendje, edhe për figurat që historia duhet ti ritrajtojë, Enver Hoxha dhe Ahmet Zogu.

Sipas Verlit, për të dy figurat në tekste, duhen lejuar mendimet alternative të historianëve, për t`ia lënë në fund nxënësve gjykimin.

“Për ciklin e ulët duhet ndërtuar aq informacion sa në pikat e nxehta apo të debatueshme duhet dhënë në mënyrë kronologjike një ngjarje. Kurse në tekstin e shkollës së mesme duhet dhënë një informacion më i gjerë dhe në këtë rast nuk është keq që për një problem apo një individ të caktuar të jepen edhe mendimet alternative që mund të vijnë nga studiues të ndryshëm”

Krisafi, i cili njeh historinë në funksion të profilit të tij si pedagog i së drejtës ndërkombëtare, thotë se për Hoxhën dhe Zogun, duhen shkruar disa të vërteta të pathëna.

“Ka dëshmitarë të gjallë ku po dalin në dritë dokumente që provojnë se në periudhën kur Enver Hoxha ka qenë në krye të vendit janë kryer gabime dhe veprime të padrejta që në raste të caktuara mund të konsiderohen edhe krime të rënda. Këto duhen evidentuar. Zogu u identifikua me diçka pozitive dhe ai vihej në krye të të tëra zhvillimeve të popullit shqiptar dhe atij i atribuohej merita e gjithçkaje. Nuk mund të sfumohet dot fakti që Zogu ishte ai që cedoi nga trualli shqiptar Manastarin e Shën Naumit dhe një pjesë të Vermoshit”.

Ndërsa komisioni i historisë, ka vendosur të kalojë vetëm në rrjedhë kronologjike historinë e pas viteve ’90, Krisafi sugjeron:

“Padiskutim që ka vend të rishkruhet historia, të shihet me një tjetër sy, edhe pas viteve `90, pas përmbysjes së komunizmit. Sepse edhe në këtë periudhë vërehen deformime”.

Në mendje, komisioni duhet të mbajë edhe këtë këshillë të Verlit:

“Duhet parë mirë në kuadrin e përgjithshëm programi shkollor dhe unë mendoj që historia në këto orë duhet të gjejë më tepër vendin e vetë”.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment