Pepe tremb Portugalinë, kuqezinjtë pa probleme

peNjë lajm i keq për Portugalinë, por i mirë për Shqipërinë. Mbrojtësi i Realit të Madridit, Pepe, ka munguar në seancat e para stërvitore në prag të ndeshjes me kombëtaren shqiptare. Sipas mediave luzitane, mbrojtësi nuk ka qenë në formën e tij më të mirë, duke qenë se ka vuajtur një dëmtim muskulor, ndaj edhe është stërvitur veçmas, më së shumti në palestër. Gjithsesi, konfirmohet se lojtari do të jetë në fushë ndaj Shqipërisë. Por një pjesë e mirë e gazetarëve sportivë në Portugali thonë se Pepe nuk mund të bëhet deri më 7 shtator, ditë kur do të luhet takimi me Shqipërinë. 
NANI
Sakaq, në mungesë të Kristiano Ronaldos, i cili nuk u grumbullua për këtë ndeshje, trajneri Paolo Bento beson te mesfushori me tipare sulmuese Luis Nani, i cili në merkaton e kësaj vere, la Mançester Junajtid, për t’u rikthyer në vendlindje me Sporting Lisbonën. Ky i fundit do të mbajë peshën e sulmit, si dhe do jetë lideri i skuadrës në ndeshjen kundër kuqezinjve. Trajneri Bento e ka vlerësuar Shqipërinë dhe mendon se nuk do ta ketë aq të lehtë. Portugalia ka vuajtur jo pak vitet e fundit për t’u kualiafikuar në Botëror, por edhe në Europian. Pikërisht për këtë qëllim, tekniku portugez kërkon ta nisë sa më mbarë, me tri pikë ndaj Shqipërisë, duke parë edhe grupin shumë të fortë, ku bëjnë pjesë edhe Danimarka, Serbia dhe Armenia. Mediat vendëse këto ditë kanë kujtuar jo pak barazimin 0-0 të vitit 2008, kur Shqipëria me 10 futbollistë bllokoi Portugalinë në shtëpinë e vet, me Kristiano Ronaldon në fushë. 
SHQIPËRIA 
Ndërkohë, kombëtarja shqiptare ka vijuar përgatitjet në La Korunja të Spanjës. Nuk ka pasur probleme, gjithçka vijon normalisht. Trajnerit De Biazi i ka pëlqyer angazhimi në stërvitje dhe beson se në Portugali mund të arrihet edhe fitorja, mjafton që të luhet me besim dhe me disiplinë. Ka konkurrencë të madhe në mesfushë, reparti që do të ketë enigma deri në momentet e fundit para se De Biazi të zbardhë formacionin. Mendohet që De Biazi t’i besojë “gardës së vjetër”, sidomos në prapavijë, ku portier do të jetë Berisha, ndërsa para tij pritet të luajnë 4 mbrojtës në fillim të ndeshjes, me Mavrajn dhe Canën në qendër, ndërsa Hysaj dhe Agolli në krahë. Në mesfushë ka shumë dilema, por Kaçe do të jetë shkatërrues, Lila në të djathtë, majtas Hyka ose Abrashi, në qendër Kukeli, sulmues i fshehur Gashi dhe në majë të repartit ofensiv Hamdi Salihi. Ndërsa alternativat janë të shumta, ku priten pse jo të bëhen edhe 2 debutime, sidomos me Herolind Shalën, që po kalon një formë shumë të mirë në Norvegji, por pse jo, edhe Taulant Xhaka është alternativë. Ndoshta kjo do të bëhet edhe për t’i mos i humbur këta futbollistë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment