OSBE, thirrje për mbrojtje më të madhe të gazetarëve në Kosovë

osbePërfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Mediave, Dunja Mijatoviq, reagoi duke i dënuar këto kërcënime, ndërsa Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që t’u ofrojnë gazetarëve më shumë siguri.

“Kërcënimet që Duriqi ka marrë janë shumë serioze. U bëj thirrje agjencive për zbatim të ligjit dhe gjyqësorit që në mënyrë të detajuar t’i hetojnë këto kërcënime dhe kërcënime të tjera ndaj gazetarëve në Kosovë, dhe të sigurojnë se ata që shkelin lirinë e shprehjes do të mbajnë përgjegjësi”, mësohet të ketë deklaruar Schlumberger, në një njoftim dërguar nga Vjena.

Bëhet e ditur se, Duriqi ka raportuar në Policinë e Kosovës se ka marrë një numër kërcënimesh me vdekje pas publikimit të disa artikujve në të cilët kanë zbardhur dhe kritikuar aktivitetet e grupeve radikale islame në Kosovë.

Përfaqësuesja e OSBE-së për Liri të Mediave, Mijatoviq tha se, “gazetarët duhet të jenë në gjendje të punojnë në mënyrë të lirë dhe të sigurt. Çdo kërcënim që i bëhet një pjesëtari të mediave duhet të hetohet me urgjencë të lartë. Frikësimet e gazetarëve janë shumë të shpeshta dhe janë të dëmshme për mediat e lira”.

OSBE promovon lirinë e mediave dhe punon me qeveritë për t’iu ndihmuar t’i mbajnë zotimet e tyre për liri të shprehjes.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment