OKB:Mbi 100 mijë njerëz janë arrestuar, ose figurojnë të zhdukur në Siri

Nga Edith M.Lederer “Associated Press”

Raportet sugjerojnë se më shumë se 100 mijë njerëz në Siri janë arrestuar, rrëmbyer ose zhdukur gjatë konfliktit 8-vjeçar, teksa përgjegjëse kryesore është qeveria siriane. Kështu deklaroi të mërkurën, shefja politike e OKB-së, Rozmari Dikarlo.

Në fjalën e tij, ajo u bëri thirrje të gjitha palëve të dëgjojnë apelin e Këshillit të Sigurimit, për lirimin e të gjithë njerëzve që janë arrestuar në mënyrë arbitrare, si dhe t’u japin informacione familjeve për të dashurit e tyre, siç kërkohet nga ligji ndërkombëtar.

Ajo deklaroi para këshillit, se OKB-ja nuk është në gjendje të verifikojë shifrën prej më shumë se 100 mijë të zhdukurish, pasi nuk mundur të sigurojë qasje në qendrat e ndalimit dhe të paraburgimit në Siri.

Dikarlo tha se informacionet e saj, vijnë nga dëshmitë e vërtetuara nga Komisioni i Hetimit mbi Sirinë, i autorizuar nga Këshilli i OKB për të Drejtat e Njeriut dhe organizatat e të drejtave të njeriut, që prej fillimit të konfliktit në vitin 2011.

Dikarlo përsëriti gjithashtu thirrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB Antonio Guterres, që konflikti i Sirisë të referohet në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, duke deklaruar se llogaridhënia për shkeljet serioze të të drejtave ndërkombëtare të njeriut dhe ligjit humanitar, “është thelbësore për arritjen dhe ruajtjen e një paqeje të qëndrueshme në Siri”.

Dikarlo foli në një takim të hapur, pas miratimit unanim që Këshilli i Sigurimit i bëri në qershor rezolutës së pare, që u përqëndrua tek mijëra njerëzit e zhdukur në konflikte në të gjithë botën.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, që është mandatuar nga Konventat e Gjenevës në vitin 1949, për të adresuar dhe mbikëqyrur çështjen e personave të zhdukur në konflikte, tha se ka regjistruar mbi 45.000 raste të njerëzve të zhdukur në vende të ndryshme të botës vetëm në vitin 2018.

Takimi i Këshillit të Sigurimit, i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, ofroi një mundësi të rrallë që organi më i rëndësishëm i OKB të dëgjojë drejtpërdrejti familjarët e të ndaluarve. Dr.Hala Al Gaui dhe Amina Kulani, të cilat kanë bërë një fushatë të gjatë për liri dhe drejtësi për të arrestuarit sirianë, e kritikuan KS se ka dështuar t’i japë fund luftës në Siri, teksa kërkuan nga anëtarët e saj thellësisht të përçarë, të miratojnë një rezolutë të re, për të ushtruar presion ndaj të gjitha palëve ndërluftuese, për zbulimin e emrave dhe vendndodhjes së të gjithë të arrestuarve, si dhe lirimin e të gjithë atyre që janë arrestuar në mënyrë arbitrare.

Al Gaui tha se u largua nga Siria në fundin e vitit 2011, kur burri i saj u arrestua dhe u mbajt në një qeli “aq të vogël sa që nuk kishte vend ku të ulej”. Ai u lirua, por Al haui thotë se vëllai i saj, vjehrri dhe disa kushërinj rezultojnë ende të zhdukur.

Al Gaui, shton se shumë kolegë të saj mjekë, u arrestuan gjithashtu nga qeveria siriane, për shkak se u dhanë ndihmë protestuesve të plagosur, dhe “disa prej tyre u vranë nën tortura, ndërsa ndodheshin në paraburgim”.

“Ne kemi vuajtur shumë familjarisht, dhe unë jam sot këtu për t’ju nxitur të veproni”- tha ajo. Kulani, tre vëllezërit e të cilës u arrestuan nga qeveria siriane 8 vjet më parë, tha se që të gjithë ata vdiqën në paraburgim, dhe ajo vetë u burgos për 6 muaj, e arrestuar nga Dega e Inteligjencës së Forcave Ajrore, për shkak të aktivizmit të saj për paqe.

Burri i saj u mbajt në një burg ushtarak për 2 vjet e gjysmë, dhe “që të dy ishim me fat që mbijetuam, por shumë të tjerë nuk ishin dhe aq me fat”.  Kulani tha se ndërsa shumica e të zhdukurve, u arrestuan nga qeveria siriane, edhe opozita e armatosur dhe grupet ekstremiste si Shteti Islamik “janë gjithashtu fajtorë për ndalimin dhe zhdukjen e shumë prej tyre”.

“Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, ka dështuar tërësisht me çështjen e të arrestuarve në Siri dhe familjet e tyre”-tha ajo. “Është përgjegjesia juaj t’i mbroni sirianët nga një sistem që vret, torturon dhe ndalon në mënyrë të paligjshme qytetarët e vet, në shkelje sistematike të ligjit ndërkombëtar”- shtoi ajo.

Ndarjet e thella në KS, ishin qartazi të dukshme kur e mori fjalën e mori përfaqësuesi i aleatit më të ngushtë i rregjimit në Siri, Rusia. Zv.ambasadori rus Dimitri Polianski, i hodhi poshtë ato që ai i quajti “të dhëna të verifikuara dhe tejet jo objektive, në lidhje me situatën në Siri”, ndërsa kritikoi vendet perëndimore që e thirrën atë takim.

“Ne e kemi thënë vazhdimisht, se është e papranueshme të politizohen çështjet humanitare dhe të drejtat e njeriut. Sidoqoftë, ne po dëgjojmë edhe një herë akuzat e njërës palës kundër tjetrës, autoriteteve zyrtare në Damask, ndërsa terroristët po na prezantohen si viktima të pafajshme”.

Ai tha se një grup pune për të arrestuarit dhe personat e zhdukur, i përbërë nga Rusia, Irani dhe Turqia si dhe ekspertë të OKB dhe Kryqit të Kuq, organizuan një shkëmbim të burgosurish më 31 korrik, dhe po ndjekin procedurat “për krijimin e një baze të dhënash, mbi personat që konsiderohen të zhdukur nga qeveria Siriane dhe opozita”.

E ngarkuara me punë e Sirisë në OKB, Luaj Falluh tha se SHBA dhe Britania e Madhe, nuk kishin “të drejtë” të thërrisnin një mbledhje të tillë të këshillit, duke i akuzuar ata për imponimin e “masave të njëanshme shtrënguese” ndaj popullit sirian, adoptimin e “sjelljeve imorale”, dhe shfrytëzimin e çështjes humanitare.

Në kundërpërgjigje, ambasadorja britanike Karen Pirs, tha se takimi u thirr nga 9 vendet në këshillin prej 15 anëtarësh. Pirs tha se Siria nuk iu ishte përgjigjur pyetjeve edhe më kritike, dhe ajo pyeti sërish:”A do të paraqesin autoritetet siriane një listë të atyre që kanë arrestuar, ku janë këta të arrestuar, dhe për ata që kanë vdekur, ku gjenden varret e tyre? Dhe a do të lejojë Damasku qasjen e inspektorëve ndërkombëtare në vendet e paraburgimit?”.

Përktheu:Alket Goce

 

Submit a comment