OKB-ja përshëndet Turqinë për mikpritjen e refugjatëve sirianë
Siç njofton OKB-ja rreth 70 000 sirianë kurdë janë larguar drejt Turqisë gjatë 24 orëve të fundit pasi militantët e Shtetit Islamik (SH) kanë avancuar në verilindje të Sirisë.
Rreth 70 000 sirianë kurdë janë larguar drejt Turqisë gjatë 24 orëve të fundit pasi militantët e Shtetit Islamik (SHI) kanë avancuar në verilindje të Sirisë, njoftoi OKB duke përmendur gjithashtu mbërritjen e mundshme të qindra mijëra personave të tjerë.
“Kryqi i Kuq ka riforcuar aktivitetin e tij për të ndihmuar qeverinë e Turqisë për t’u ardhur në ndihmë 70 000 sirianëve të arratisur këto 24 orët e fundit”, theksoi organizata e specializuar e OKB-së në një komunikatë të publikuar sot.
Përveç të tjerave, vijon komunikata, qeveria turke dhe Kryqi i Kuq po përgatiten për mbërritjen e mundshme të qindra mijëra refugjatëve të tjerë në ditët e ardhshme, ndërkohë që luftimet vazhdojnë.
Turqia hapi të premten kufijtë për refugjatët sirianë që nisën të largohen nga rajoni i Ain al-Arab, rrethuar nga luftëtarët e grupit ekstremist sunit të Shtetit Islamik.
“Ky fluks masiv (…) tregon nevojën për të mobilizuar ndihmën ndërkombëtare për të mbështetur vendet fqinje të Sirisë”, deklaroi në një komunikatë, komisioneri i lartë për refugjatët, Antonio Guterres duke përshëndetur Turqinë për hapjen e kufijve të saj për sirianët.