Obama: Do të reagojmë kundër Phenianit për sulmin kibernetik ndaj ”Sony”-t

obamaPresidenti amerikan, Barack Obama premtoi sot se SHBA-ja do të reagonte kundër Koresë së Veriut për sulmin më të rëndë kibernetik të kryer ndonjëherë në territorin amerikan, gjë që Pheniani e ka hedhur poshtë menjëherë.

FBI njoftoi dje se Koreja e Veriut kishte kryer një sulm informatik të konsiderueshëm kundër kompanisë kinematografike ”Sony” në fund të muajit nëntor.

“Ata kanë shkaktuar shumë dëme dhe ne do të përgjigjemi. Ne do të përgjigjemi me masa të përshtatshme, në kohën, vendin dhe mënyrën që do të zgjedhim”, theksoi presidenti amerikan në një konferencë shtypi duke përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit të ndonje vendi tjetër me Phenianin.

Ai theksoi përveç të tjerave se kompania ”Sony Pictures Entertainment” (SPE) kishte kryer një gabim me anulimin e daljes në kinema të filmit “Intervista që vret!”, komedi satirike mbi një koplot fiktiv të CIA-s për të vrarë liderin korano-verior, Kim Jong-Un.

”Amerikanët nuk mund të ndryshojnë modelin e sjelljes së tyre për shkak të një sulmi të mundshëm terrorist. Ne nuk jemi të tillë, Amerika nuk është e tillë”, shtoi Obama. 

”Sulmi shkatërrues ndaj kompanisë ”Sony Pictures” nga Koreja e Veriut dhe anulimi i publikimit të filmit “Intervista që vret!” do t’i kushtojë studios kinematografike deri në gjysmë miliard dollarë”, theksuan ekspertët.

Submit a comment