Një ushtri evropiane në Sirinë Veriore?


Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481
5 minute read
Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481

Nga Yahya Bostan “Daily Sabah”

Në dritën e vendimit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’u tërhequr nga Siria, çështja se kush do të mbushë boshllëkun e saj në zonë, mbetet një temë e nxehtë.

Trump dhe homologu i tij turk, Rexhep Taip Erdogan, ranë fillimisht dakord të krijojnë një zone të sigurisë në Sirinë Veriore. Por duket se Turqia dhe Shtetet e Bashkuara, nuk po bien dakord mbi natyrën e zonës së përmendur. U duk sikur Trump kishte në fillim të njëjtën qasje me Erdoganin, por e rishikoi pozicionin e tij, nën presionin e madh të brendshëm.

Kur çështja erdhi sërish në vëmendjen e të gjithëve, kushti i vetëm i Trumpit ishte eliminimi i mbetjeve të ISIS-it në Siri. Me fjalë të tjera, presidenti amerikan nuk u shqetësua për atë që do të ndodhte, për aq kohë sa terroristët nuk do të ishin më në terren.

Megjithatë, gjatë ditëve që pasuan, kritikët nisën një fushatë të koordinuar, për të ngritur pikëpyetje rreth së ardhmes së “kurdëve” – ​​duke i etiketuar si PKK dhe degën e saj siriane, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG). Pasi debati publik u zhvendos tek fati i atyre luftëtarëve pas tërheqjes së Shteteve të Bashkuara, Trump u ndje i detyruar të bënte disa lëshime.

Ky debat, çoi në një mosmarrëveshje mbi atë se si do të quhej zona e propozuar. Turqit, të cilët preferojnë termin “zonë e sigurtë”, besojnë se mund t’i mbrojnë banorët nga sulmet terroriste të PKK/YPG dhe ISIS-it, dhe t’u japin refugjatëve sirianë një nxitje pozitive, për t’u rikthyer në shtëpitë e tyre.

Zyrtarët turq janë të bindur mbi këtë plan, pasi ata e zbatuan atë me sukses në ish-fortesat terroriste në Xharablus, Al-Bab dhe Afrin. Përpjekjet e Turqisë për stabilizimin dhe rindërtimin e këtyre zonave, duke përfshirë mbështetjen e Ankarasë për shërbimet shëndetësore, arsimore dhe ato të sigurisë publike, e përmirësuan situatën e sigurisë, dhe lehtësuan kthimin e 350.000 refugjatëve sirianë.

Me kushtin që Shtetet e Bashkuara, të planifikojnë të tërhiqen nga një pjesë më e madhe e territorit, modeli turk mund të bindë rreth 1 milionë refugjatë të kthehen në Siri, duke lehtësuar kështu edhe krizën e emigrantëve që ka prekur Evropën.

Megjithatë, që modeli të funksionojë si duhet, përgjegjëse për të duhet të jetë Turqia. Dhe ja përse:Terroristët e PKK/YPG, u angazhuan në spastrime etnike, dhe dëbuan një numër të madh njerëzish. Nëse të njëjtët militantë lejohen të qëndrojnë aty rrotull, popullsia kryesisht arabe në ato zona do të largohet, dhe kësisoj do të jetë e pamundur rivendosja e paqes dhe stabilitetit.

Duke gjykuar nga strategjia e mesazheve të Uashingtonit, administrata Trump duket se dëshiron të krijojë një zonë tampon në Sirinë Veriore. Prandaj, ajo dëshiron që pas largimit të forcave amerikane, zonën ta kontrollojë një palë e tretë.

Amerikanët besojnë se mund të ndalin sulmet e PKK/YPG kundër Turqisë, dhe të stabilizojnë rajonin, përmes zbatimit të planit të tyre. Kur një burim turk në Ankara, më tha se Trumpi donte që të ishin trupat evropiane ato që të mbushnin boshllëkun, që do krijohet prej amerikanëve në Sirinë Veriore, mua m’u duk si një thashethem.

Megjithatë, SHBA-ja duket se po përpiqet të bëjë pikërisht këtë. Gazeta “The Ëashington Post”, botoi një artikull që konfirmonte atë që më tha burimi im, dhe senatorja amerikane Lindsej Graham, tha në Konferencën e Sigurisë në Myhin gjëra të ngjashme gjatë fundjavës së shkuar.

Pra, Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që Britania, Gjermania dhe Franca, të ndërtojnë dhe jenë përgjegjëse për sigurinë e zonës tampon. Pikërisht këtu qëndron edhe problemi:Ky plan, nuk do të funksionojë kurrë.

Le t’i lëmë mënjanë tensionet ndërmjet Uashingtonit dhe Bashkimit Europian, mbi idenë e një ushtrie të përbashkët evropiane. Këtyre 3 vendeve, u mungojnë aftësitë për të stabilizuar veriun e Sirisë. Vendosja e rreth 2.000 trupave në lindje të lumit Eufrat, nuk do të neutralizojë kërcënimin që vjen nga PKK/YPG, dhe për pasojë nuk do të kënaqë kërkesat e Turqisë.

Duke patur parasysh se Ankaraja ka kryer fushata ushtarake në Xharablus, Al-Bab dhe Afrin (dhe ka rritur presionin mbi Manbixhin), pavarësisht pranisë amerikane në Siri, s’ka arsye të besohet se turqit do të injorojnë atë që ata e konsiderojnë një kërcënim ekzistencial, vetëm pse aty ndodhen trupat britanike, franceze dhe gjermane.

Një problem tjetër, është se çdo veprim ushtarak nga ana e këtyre qeverive në Siri, do t’i mungonte legjitimiteti sipas ligjit ndërkombëtar. E fundit por jo më pak e rëndësishme:asnjë nga të treja vendet, nuk ka ndonjë pushtet të vërtetë në teatrin sirian të luftës- ndryshe nga Turqia, Rusia dhe Irani, të cilët duhet të hartojnë një plan të ri, nëse Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët, nuk janë të gatshëm të rrezikojnë përfshirjen në krizat e reja.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment