Nishani: Guvernator të huaj? Shqipëria, 102 vjet e pavarur

94125 Presidenti, Bujar Nishani i ftuar mbrëmë në emisionin “Opinion” të gazetarit, Blendi Fevziu në TV Klan, la të kuptohej se është kundër zgjedhjes së një Guvernatori të huaj në Bankën e Shqipërisë, me besimin se vendi ynë ka njerëz të kualifikuar për këtë pozicion. Sa i përket shkarkimit të z.Fullani, Presidenti u shpreh se do të respektojë vendimin e Kuvendit. 
Z. President, kemi të bëjmë me arrestimin e dytë të një Guvernatori të Bankës së Shqipërisë. Kur ju informuan se Guvernatori Fullani është arrestuar? 
Nuk kam pasur asnjë informacion që do të arrestohej. Unë jam informuar si gjithë opinioni publik, përmes mediave. E kam parë përmes mediave lajmin e arrestimit të Guvernatorit. 
A duhej të kishit njoftim paraprak për arrestimin e z.Fullani? 
Një detyrim ligjor për t’u njoftuar për arrestime të kësaj natyre nuk ka, por në raste të tilla, kur bëhet fjalë për institucione të tilla që kanë ndikime të drejtpërdrejta të sigurisë së vendit, qartësisë, mendoj që duhej të kishte një informacion për vendimmarrjen përfundimtare. 
Çfarë vendimmarrjeje përfundimtare? 
Për arrestimin, që Presidenti të kishte mundësi që të reagonte për ruajtjen e stabilitetit, siç ishte ajo e ekonomisë dhe financiare. Mund të kishte një informacion, por nuk është detyrim ligjor dhe unë nuk jam informuar paraprakisht. Gjykata nuk ka lidhje në këtë rast me KLD-së, sepse nuk monitoron lëshimin e akteve të tilla nga gjykata. Gjykata i është përgjigjur një kërkese të prokurorit, por besoj se nga organi i akuzës, pasi të ishte konkluduar për marrjen e vendimit, gjykoj se duhej të ishte bërë. 
A keni biseduar me prokurorin? 
Kam biseduar dhe bisedoj me prokurorin, por nuk ishte detyrim ligjor. 
Ishte një masë e pritshme apo e frikshme? 
Nuk mund ta komentoj këtë. Gjykata ka dhënë masën e arrestit. Sot (dje) ka pasur një vendim të Gjykatës së Apelit që ka ndryshuar masën e arrestit dhe sistemi i drejtësisë ka shkallët e veta. Ne duhet të respektojmë vendimet e gjykatave. 
A ka pasur prapavijë politike arrestimi? 
Në asnjë mënyrë nuk mund ta komentoj një gjë të tillë. Hetimi vazhdon. Ndërsa hetimi gjyqësor nuk ka filluar ende dhe të gjithë duhet të presim. Besoj se ky do të ishte shërbimi më i mirë që i bëjmë institucionit të Bankës, personit të akuzuar dhe sistemit të drejtësisë. Ka zëra se bëjnë përgjegjës mazhorancën e djeshme për këtë arrestim… Kanë ardhur edhe në tryezën time mesazhe të tillë, që, ‘është përfshirë edhe presidenti’. Por këto janë të ulëta dhe nuk i përkasin asnjë realiteti. Kjo tregon se nuk ka sens mase të shpërndarjes së lajmeve të pavërteta. Por ne duhet të jemi të vëmendshëm ndaj vendimeve të drejtësisë. 
Z.Fullani, vazhdon të jetë Guvernator? 
Natyrisht që është në detyrë. 
Pra është në detyrë Fullani? 
Ju, keni ndonjë vendim që është shkarkuar? Shkarkimin e tij e bën Kuvendi. Nuk ka ende një vendim të tillë për shkarkim nga Kuvendi. Ne duhet të konsolidojmë kulturën e sundimit të ligjit.
A ndikon në vendimmarrjen e Kuvendit meqë Fullani është në “arrest shtëpie”?
 
Kjo është në detyrimin e çdo deputeti dhe të vetë Kuvendit. 
Kur u vutë në dijeni për vjedhjen e Bankës? 
Guvernatori ka ardhur tek unë kur është bërë nga Banka kallëzimi penal për vjedhjen. Më ka informuar në zyrë, edhe për dorëzimin e kallëzimit penal. Jam informuar për rrezikimin që mund të sillte në sistemin bankar, jam siguruar nga Guvernatori për qëndrueshmërinë e sistemit, më garantoi se po bashkëpunonte me prokurorinë. I kam kërkuar që ta ndjekë çështjen me shumë kujdes dhe të zbatonte ligjin. Një nga problemet ngelet zgjidhja e çështjes.
Nëse parlamenti e shkarkon këtë të enjte, cili do të jetë reagimi juaj?
 
Natyrisht që reagimi i presidentit do të jetë strikt me realitetin. Nëse parlamenti do ta shkarkojë, do të respektohet e gjithë procedura që parashikohet përmes ligjit dhe do të kemi një Guvernator të ri, të cilin e propozon kreu i shtetit. 
Ligji thotë që presidenti duhet të zgjedhë Guvernator një nga anëtarët e këshillit drejtues të Bankës… 
Jo, nuk ka asnjë ligj që e thotë që të jetë nga Këshilli Mbikëqyrës. Kriteret janë të përcaktuara qartë në Kushtetutën e vendit. Nëse Kuvendi e shkarkon Fullanin, a keni ju ndonjë emër apo kritere? 
Jo, nuk kam asnjë emër. Kam përkushtimin për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet kompetente, me Kuvendin, për të zgjedhur Guvernatorin më të mirë. 
Edhe nëse e shkarkon Kuvendi? 
Nuk mund të ketë reagim; nëse Kuvendi e vendos, është çështje e Parlamentit. 
Nëse Kuvendi vendos për ndryshimin e ligjit, cili do të jetë reagimi juaj? 
Edhe hartimi i legjislacionit është kompetencë e Kuvendit në përputhje me Kushtetutën. 
Pa ndryshimet kushtetuese, Guvernatori zgjidhet nga Ju? 
Atë e thotë Kushtetuta dhe jo unë. 
A keni pasur një bisedë me kryeministrin për një Guvernator shqiptar ose në një rast tjetër të huaj? 
Kam pasur bisedë me kryeministrin dhe kemi diskutuar për këtë çështje.Shqetësimi ka të bëjë me situatën e krijuar. Nuk është një situatë normale për sistemin bankar, ndaj ne duhet të jemi në kontakt të vazhdueshëm. 
Stabiliteti i sistemit bankar varet edhe nga emri… 
Nuk është diskutuar për emra, por ka pasur reagime. Por Shqipëria ka 102 vite si e pavarur, ka një eksperiencë dhe ka njerëz dhe gra shumë të kualifikuara. Mund të ketë specifika shumë të ndryshme, por unë besoj që shteti shqiptar, shoqëria shqiptare, shtetasit shqiptarë sot janë të aftë të qeverisin vendin e tyre në mënyrë të suksesshme. Janë mundësitë të zgjedhim mes nesh. Një i huaj mund të krijonte paanshmëri…. 
Një skualifikim në futboll, nuk mund të sillte një humbje aq sa do të sillte në sistemin bankar.
Mendoni se Guvernatori i ri mund t’i përballonte presionet?
 
Pa dyshim, sepse ka njerëz me personalitet, me dinjitet, që janë të gatshëm të ofrojnë kontributin e tyre. Djemtë dhe vajzat shqiptare mund t’i menaxhojnë çështjet shqiptare. 
Çfarë garancie do t’i jepni një Guvernatori shqiptar nëse nuk do të jetë politik? 
Kjo është çështje e përgjegjësisë së presidentit që ka përballë opinionit publik. Çështja është që ne të shkojmë në mënyrë konstruktive drejt zgjedhjes dhe s’ka pse të bëhet çështje politike. 
Do të bini dakord me mazhorancën, apo do ta propozoni vetë ju? Do të ketë konsultime? 
Jam tërësisht që të bashkëpunoj për këtë çështje. Do të konsultohemi dhe nuk do të ketë vendim të njëanshëm. Nuk është koha për të bërë sfidë ndaj njëri-tjetrit. 
Deri në momentin që Guvernatori të zgjidhet, kush e drejton Bankën e Shqipërisë? 
Ka një Guvernatore që po bën detyrën që e ka caktuar Këshilli Mbikëqyrës dhe do të qëndrojë në detyrë derisa të zgjidhet Guvernatori i ri. 
A ka një tentativë të mazhorancës për kapjen e institucioneve? 
Kam shprehur në vijimësi shqetësimet e mia sa herë që është tentuar cenimi i kompetencave, të cilat kanë qenë të evidentuara. Pse janë kaq të tensionuara marrëdhëniet me mazhorancën? 
Ne kemi ndarë këndvështrime të përbashkëta me kryeministrin, ndaj nga ana ime nuk ka pasur ndonjë stisje, por do të mbroj integritetin, jo të Bujar Nishanit, por të Presidentit, që është simboli i shtetit shqiptar. Nuk ka asnjë rast të vetëm që të kem iniciuar një qëndrim politik, akuzë apo konflikt me mazhorancën. 
Ju keni kthyer 4 ligjet dhe argumentet…. 
Akuzat janë naive dhe argumentet kundërshtuese kanë qenë të bazuara në Kushtetutën e vendit. 
Ju nuk keni asnjë deklarim tuajin për bojkotin e opozitës; pse? 
Ka një deklarim më të hershëm timin në një studio televizive, ku jam shprehur se nuk pajtohem me bojkotin e institucioneve. Rama thotë, ‘president që sulmon qeverinë’… 
Akuza është shumë e rëndë. Pas kësaj akuze i mbetet vendi për tradhti ndërkombëtare. 
E keni bërë? 
Nuk do e bëj derisa të kem frymë, por kjo nuk ka argument, përderisa i referohesh në argumentet e tyre Kushtetutës. Presidenti ka për detyrë të japë një farë alarmi. Të gjitha ligjet janë të argumentuara me argumente konkrete.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Submit a comment