“Nënshkruhet” urdhri për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria

Pentagoni ka thënë të jetë nënshkruar urdhri për tërheqjen e trupave amerikane nga Siria, pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump më 19 dhjetor për tërheqje të plotë, kanë raportuar mediat amerikane.

“Urdhri ekzekutiv për Sirinë është nënshkruar”, është cituar të ketë thënë një zëdhënës i ushtrisë amerikane më 23 dhjetor, ka raportuar agjencia e lajmeve, AP.

CNN ndërkohë ka thënë se një zyrtar i Mbrojtjes ka konfirmuar se urdhri është nënshkruar dhe është cituar të ketë thënë se Sekretari amerikan i Mbrojtjes, në shkuarje tashmë, James Mattis ka vënë nënshkrimin në këtë urdhër.

Presidenti Trump ka deklaruar më 19 dhjetor fitore kundër grupit militant, Shteti Islamik (IS) në Siri dhe ka bërë njoftimin e papritur për tërheqje të plotë të trupave prej vendit të shkatërruar nga lufta.

Trump ka pranuar kritika nga ligjëvënësit demokratë si dhe ata republikanë, duke përfshirë edhe ish-liderë qeveritarë dhe aleatë ndërkombëtarë, për atë që është cilësuar si tërheqje e parakohshme e forcave amerikane nga Siria.

Në këtë vend forcat amerikane kanë mbështetur sirianët arabë dhe ata kurdë në luftën kundër IS-it nga viti 2015.

Shumë kundërshtarë kanë thënë se tërheqja e shpejtë e trupave të SHBA-së, do të përbënte tradhti për aleatët kurdë, të cilët mund të rrezikohen nga forcat turke.

Kjo pasi Ankaraja akuzon kurdët në Siri se kanë lidhje me Lëvizjen kurde që realizon kryengritje në Turqi.

Madje për disa kritikë, tërheqja amerikane mund të konsiderohet edhe fitore për Iranin dhe Rusinë që janë aktive në këtë shtet.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka thënë më 23 dhjetor se ai ndjen “keqardhje të thellë” për vendimin e Trumpit, duke shtuar se “aleatët duhet të jenë të besueshëm”.

Ndërkohë disa nga aleatët më të ngushtë të Trumpit kanë tentuar edhe publikisht ta bindin presidentin amerikan për të tërhequr vendimin e tij për Sirinë.

Pasi Trump ka njoftuar për planet e tij, Jim Mattis ka njoftuar për dorëheqjen e tij nga pozita e Sekretarit amerikan të Shtetit, duke protestuar politikën e Jashtme të presidentit.

Pas këtij vendimi ka dhënë dorëheqje edhe i dërguari amerikan në koalicionin global për luftimin e IS-it, Brett McGurk.

Siria është përballur me luftë shtatëvjeçare. Rusia dhe Irani kanë përkrahur presidentin sirian, Bashar al-Assad, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Turqia kanë mbështetur palë të ndryshme kundërqeveritare.

Kësaj lufte i janë bashkuar edhe ekstremistët e grupit, Shteti Islamik.

Megjithatë edhe pas zotërimit të një pjese të madhe të territorit në Siri dhe Irak, dhe shpalljes së “kalifatit” militantët e IS-it kanë humbur pas pak kohësh të gjitha bastionet dhe janë dëbuar nga shumica e zonave të dyja shtetet.

Submit a comment