Ndikimi i ndryshimit të klimës te koralet

koGuma e Madhe Koralore e Australisë ka evoluar gjatë qindra mijëra vjetëve dhe është ekosistemi më i madh koralor i botës. Ajo është ndër më të rrezikuarat, sepse ka humbur rreth gjysmën e koraleve gjatë njëzet e pesë vjetëve të fundit. Ndërsa shkencëtarët druhen se rritja e temperaturës së deteve do t’i bëjë dëm Gumës së Madhe Koralore, një studim i ri tregon se koralet kanë mbijetuar dhe i janë përshtatur luhatjeve më të mëdha të temperaturës në të kaluarën.Guma e Madhe Koralore është një nga mrekullitë  natyrale të botës, një mozaik i ndërlikuar koralesh, sharrnajash, dhe ishujsh tropikalë. Dhe është një vend ideal për studimin e klimës së mëparshme, thotë paleo-klimatologu Thomas Felis, në Qendrën për Shkencat Detare Mjedisore të Universitetit të Bremenit dhe autori kryesor i studimit në “Nature Climate Communications”.

“Qëllimi kryesor i ekspeditës tonë ishte të rikrijonim nivelin e detit dhe Guma e Madhe Koralore është një rajon goxha i qëndrueshëm për sa i përket lëvizjeve tektonike. Ndodhet larg akullnajave kontinentale. Kështu që ajo jep një mesatare të mirë të variacioneve të nivelit të detit”

Ekipi i ekspeditës u nis me anijen “Greatship Maya” në vitin 2010, të pajisur me mjete për të shpuar tokën, e cila do të nxirrte fosilet koralorë nga Oqeani Paqësor, të cilët datohen në kulmin e epokës së fundit të akullit, 20 mijë vjet më parë. Felis thotë se niveli i detit botëror atëherë ishte 120 metra më i ulët se sa është sot.

“Në atë kohë tërë uji i oqeanit ishte ruajtur në formën e akullit në akullnajat kontinentale në hemisferën veriore, Grenlandë dhe Antarktidë.”

Por jo në Australi, e cila kishte mot më të ftohtë se tani dhe jashtëzakonisht të thatë. Ekipi e mori materialin koralor dhe e dërgoi në Bremen, Gjermani për ta analizuar.

“Një nga zbulimet tona kryesore është se Guma e Madhe Koralore, që nga epoka e fundit e akullit, përjetoi ndryshime shumë më të mëdha të temperaturës se sa mendohej më parë.”

Përveç kësaj, zoti Felis thotë se temperatura e sipërfaqes së detit ishte dy deri në tre gradë Celsius më e ulët përgjatë pjesës jugore të gumës në krahasim me pjesën veriore që ata studiuan. Përkundrazi, ai thotë se ndryshimi sot është 0.6 gradë Celsius.

“Ne mësuam se këta koralë iu përshtatën ndryshimit të temperaturave gjatë një periudhe prej mijëra vjetësh. Megjithatë atë që ne përjetojmë sot është se ka gjasa të kemi ndryshime të ngjashme të temperaturës, por është e rëndësishme të vihet re se këta ndryshime do të ndodhin brenda një shekulli, dhe jo gjatë mijëra vjetëve si më parë.”

Felis thekson se studimi nuk do të thotë se Guma e Madhe Koralore e sotme mund të mund t’i përshtatet lehtë një rritjeje të vazhdueshme në temperaturën e oqeaneve. Ai thotë se kjo ofron një bazë për të kuptuar se si guma iu përgjigj rritjes së fundit të nivelit të detit dhe ndryshimet klimatike për të parashikuar më mirë aftësitë e përshtatjes.
 

Submit a comment