NBA, Phoenix bën “poker” fitoresh rresht

nbaKy është suksesi i katërt rresht për ekipin nga Arizona që vazhdon të fitojë terren në klasifikimin e Divizionit të Perëndimit.

Me 25 pikët e Goran Dragic, Phoenix Suns kaloi Dallas Mavericks 124-115 në takimin e zhvilluar në “US Airways Center” të Arizonas. Takimi nisi nën diktatin e miqve që e çuan diferencën në +10 pas një 3 pikëshi të Charlie Villanuevas, por në periodën e dytë Phenix reagoi duke u afruar në shifrat 42-41, ndërsa gjatë minutave në vazhdim,  dyshja Dragic-Lens mori për dore ekipin duke marrë kryesimin e sfidës. Pas pushimit, Dirk Nowitzki zbriti në fushë me një ritëm tjetër por 22 pikët e mbremjes së tij nuk e ndihmuan ekipin nga Dallasi të ngushtonte diferencën për asnjë moment.

Me kalimin e minutave ndeshja nuk ndryshoi rrjedhë sepse Suns-at nuk e ulën ritmin, duke e goxhduar kundërshtarin me disa 3 pikësha radhazi ku ra në sy forma e shkëlqyer e Gerald Green që shënoi në total 22 pikë. Ky është suksesi i katërt rresht për ekipin nga Arizona që vazhdon të fitojë terren në klasifikimin e Divizionit të Perëndimit. Në takimet e tjera u regjistruan këto rezultate; Cleveland-Minnesota 125-104, Indiana-New Orleans 96-84, Orlando-Boston 100-95, Chicago-Washington 99-91, Atlanta-Los Angeles Clippers 107-104, Brooklyn-Denver 102-96, Philadelphia-Miami 91-87, Portland-OKlahoma 115-111 dhe Los Ageles Lakers-Golden State 115-105.  

Submit a comment