Naser Aliji zgjedh Shqipërinë

naserdPër këtë janë të bindur dhe në Zvicër, me të përditshmen Blick që shkruan, se lojtari po shkon drejt zgjedhjes së kombëtares kuqezi.

Naser Aliji duket se e ka bërë zgjedhjen e tij dhe ajo është Shqipëria. Për këtë janë të bindur dhe në Zvicër, me të përditshmen Blick që shkruan, se lojtari po shkon drejt zgjedhjes së kombëtares kuqezi, ajo e origjinës së tij. 20 vjeçari, që është pjesë e ekipit të parë të Baselit që prej vitit 2013, ka qenë pjesë e rregullt e përfaqësueses helvete të U-20 por nga tani e mbrapa për kombëtaren A ai ka zgjedhur Shqipërinë. Futbollisti, që është një produkt i akademisë së Baselit, ka lindur në Shkup me prindër shqiptarë dhe sipas zviceranëve Aliji, i ndikuar dhe nga Taulant Xhaka, Shkëlzen Gashi dhe Arlind Ajeti ka vendosur të veshë fanellën e kombëtares së origjinës së tij.

Aliji aktivizohet në krahun e majtë të mbrojtjes, pozicion që përgjithësisht në kombëtare mbulohet nga Ansi Agolli dhe me afrimin e tij trajneri De Biasi mund të ketë më shumë alternativa për këtë rol. Me Baselin, 20 vjeçari është aktivizuar në total në 12 ndeshje, teksa ka mundur të shënojë dhe një gol. Në vitet 2011 dhe 2013 ai është vlerësuar si zbulimi i sezonit nga akademia e Baselit, klub me të cilin ka fituar dhe titullin kampion në Zvicër.

Submit a comment