Myslimanët të tregojnë dhembshuri ndaj të tjerëve, dhe ta kuptojnë si duhet Kurban Bajramin

“Gulf News”

Me rastin e festës së Kurban Bajramit, myslimanët duhet të shfaqin mirëkuptim, falje dhe vlerësim ndaj të tjerëve. Shumë nga ne që janë duke e lexuar këtë tani, po bëjnë një jetë komode.

Edhe pse që të gjithë përjetojmë hera-herës sfida dhe pengesa, kemi shumë të ngjarë të jemi në një situatë më të mirë sesa shumë njerëz nëpër botë. Prandaj duhet ta shfrytëzojmë këtë festë të shenjtë, për të treguar dhembshuri për njerëzit që vuajnë nëpër botë, nga të gjitha racat dhe fetë.

Në Islam, nuk ka diskriminim midis njerëzve, pavarësisht racës apo shtresës së tyre shoqërore. Kjo mund të shihet në grupimin madhështor e të përvitshëm të 2.5 milionë besimtarëve myslimanë në Mekë, vit me rastin e Haxhit. Myslimanët nga të gjitha sferat e jetës dhe të çdo ngjyre, qëndrojnë krah për krah për të adhuruar Zotin.

E gjitha është një spektakël i vërtetë, që duhet shijuar. Në fakt, Haxhi një nga pelegrinazhet më unike në botë, për shkak të shumëllojshmërisë së madhe të njerëzve që marrin pjesë në të. Këtë Bajram ka shumë për të festuar. Por ne duhet gjithashtu të mos harrojmë trishtimin dhe dëshpërimin që

po kalojnë të tjerët. Sulmet e fundit terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga ekstremistët e bardhë, që morën jetën e shumë njerëzve të pafajshëm, masakrat në 2 xhamitë e Zelandës së Re në fillim të këtij viti, bombat  e ISIS-it që shpërthyen në kishat e Sri Lankës, janë vetëm disa nga tragjeditë që kanë prekur botën këtë vit.

Ne duhet të kujtojmë viktimat e këtyre tragjedive, teksa lutemi që familjet e viktimave të përballojnë dhimbjen e madhe që i ka kapluar, dhe të shërojnë plagët e tyre. Tensioni i fundit në rajonin e Kashmirit në Indi, përbën gjithashtu një shqetësim, dhe ne duhet të lutemi për një zgjidhje paqësore të konfliktit përmes dialogut.

Shpërthimi i një konflikti më të madh, do të ishte katastrofik, ndaj mendimet dhe lutjet tona, duhet të jenë për shmangien e luftës atje. Mjerisht, as Lindja e Mesme nuk është e huaj ndaj konflikteve të armatosura.

Konfliktet ushtarake në Siri, Jemen dhe Libi po vazhdojnë, duke i marrë jetën çdo ditë njerëzve të pafajshëm. Mjerisht, këto viktima dalin rrallë në titujt kryesorë të mediave, por gjakderdhja e civilëve, nuk duhet të merret lehtë, dhe as të harrohet.

Në një nivel personal, duhet të përpiqemi të jemi qenie njerëzore më të mira, dhe më të dhembshura. Haxhi është një periudhë për të pastruar veprat e këqija të dikujt, dhe për të çelur një faqe të re në jetën e tij. Ne mund t’ja fillojmë duke i trajtuar të tjerët me mirësi, dhe duke treguar durim dhe mirëkuptim, kur jemi përballë njerëzve të tjerë.

Pavarësisht nga grindja në rrugë me dikë, konflikti me një mik apo koleg, apo mëria e gjatë që mund të kemi ndaj dikujt, ne duhet të përpiqemi të jemi personi më shpirtmadh. Ne mund ta përdorim kohën tonë të lirë për kauza bamirësie, duke ndryshuar sadopak jetën e atyre që janë në nevojë.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment