Mogherini: Statusi stimul për Shqipërinë, po tregon përparësi
Vendimi i vendeve anëtare për ti dhënë statusin kandidat, ishte një stimul për Shqipërinë.
Kjo ka qenë deklarata e shefes së re të politikës së Jashtme dhe Sigurisë në BE, Frederica Mogherini.
Duke folur para Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, Mogherini në cilësinë e Ministres së Jashtme të Italisë, vend i cili mban edhe presidencën e BE-së, tha se Shqipëria ka treguar vullnet për të kryer reforma sa i përket rrugës drejt BE-së.
“Ne besojmë se Shqipëria në muajt e fundit ka ecur ne mënyre te jashtëzakonshme sa i takon vullnetit për te kryer reforma dhe vendimi i qershorit nga Këshilli Europian ishte stimuli i duhur në ketë drejtim”, deklaroi Mogherini.
Për Maqedoninë, ajo sugjeroi përpjekje dhe angazhim më të madh në drejtim të zgjidhjes së problemit me Greqinë, me qëllim që të shmanget përshkallëzimi i situatës së brendshme politike të vendit.
“Duhet mund më i madh, jo vetëm në kontaktet me Maqedoninë, por edhe me shtetet e tjera. Duhet të përpiqemi ta zgjidhim atë çështje dhe punët të nisin përpara sepse edhe gjendja e brendshme në vend mund të shkojë në drejtim të padëshiruar nëse çështja për emrin nuk zgjidhet dhe punët nuk ndryshojnë”, theksoi Mogerini.
Mogherini tha se vazhdimi i procesit të zgjerimit Unionit rrit stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin ekonomik të BE.Një vend të rëndësishëm gjatë diskutimeve zuri dhe projekti TAP dhe situata në Ukrainë.