Mogherini: BE do të mbështesë Turqinë me 70 milionë euro për refugjatët

takimShefja e diplomacisë europiane dhe zv/presidentja e Komisionit Europian, Federica Mogherini, ka deklaruar të hënën në Ankara se BE-ja do të mbështesë me 70 milionë euro Turqinë, e cila ka strehuar miliona refugjatë sirianë.

Pas takimit me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Mevlut Cavusoglu dhe ministrin për Bashkim Europian, Volkan Bozkir, Federica Mogherini tha se ka vendosur me bashkëpunëtorët e saj që të vizitojë Turqinë në fillim të mandatit “sepse ky vend po bën hapa pozitive në rrugën drejt anëtarësimit në BE”.

Ajo theksoi se, përveç interesave të përbashkëta, Ankaraja dhe Brukseli duhet të punojnë edhe mbi problemet e përbashkëta.

Mogherini vuri në pah rëndësinë e hapave, që Turqia ka ndërmarrë në mënyrë që të ndihmojë stabilizimin e situatës në rajon.

“Turqia është e vetëdijshme për rolin e saj pozitiv dhe të rëndësishëm në rajon. Kur të kombinojmë aftësitë tona, mendoj se ne mund të arrijmë përparim më të rëndësishëm. Po përgatitemi për ndihmën humanitare më të madhe ndaj Turqisë, e cila hapi dyert për refugjatët; në këtë drejtim do ta mbështesim me 70 milionë euro”, sqaroi Mogherini.

Duke folur për rëndësinë e parandalimit të kalimit të luftëtarëve të huaj përmes Turqisë për t’iu bashkuar ISIS-it në Siri dhe Irak, Federica Mogherini nënvizoi se bashkëpunimi i tanishëm mes Turqisë dhe BE-së duhet të fokusohet pikërisht në këtë çështje.

Submit a comment