Ministri i Jashtëm pakistanez niset drejt Kabulit për të diskutuar paqen

Ministri i Jashtëm pakistanez, Shah Mehmood Qureshi ka arritur në Kabul për të biseduar me Qeverinë afgane, në procesin e arritjes së paqes në Afganistan.

Qureshi është mirëpritur nga holomogu i tij afgan, Salahuddin Rabbani derisa më 24 dhjetor pritet të takohet edhe me presidentin e këtij shteti, Ashraf Ghani.

Pak para fillimit të udhëtimit, Qureshi ka thënë për agjencinë e lajmeve, Associated Press se vizita e tij synon të riforcojë përkushtimin e Pakistanit për arritjen e paqes dhe përfundimin e konfliktit në Afganistan.

“Marrëdhëniet e mira në mes të Pakistanit dhe Afganistanit si dhe arritja e paqes në Afganistan, janë kritike për stabilitetin rajonal. Pakistani kërkon paqe të qëndrueshme në Afganistan”, ka thënë ai.

Vizita e Qureshit në Kabul është ndalesa e parë në një udhëtim që do të përfshijë vizita edhe në Iran, Kinë dhe Rusi.

Pakistani, i cili ka ndikim te talibanët është duke marrë pjesë në përpjekjet e fundit amerikane për të arritur paqe në Afganistan, para tërheqjes së pothuajse 7,000 trupave amerikane në verën e ardhshme nga ky vend.

Islamabadi e ka mirëpritur njoftimin e presidentit amerikan, Donald Trump për përgjysmimin e numrit të trupave në Afganistan, derisa Qureshi ka thënë më 22 dhjetor se kjo masë përbën një hap tjetër në përpjekjet për arritje të paqes.

Submit a comment