Milanoviç: BE-ja të jetë më e guximshme drejt Ballkanit

Zoran MilanoviçKryeministri kroat, Zoran Milanoviç, vlerësoi se BE-ja duhet të përparojë në mënyrë më të guximshme drejt vendeve të Ballkanit.

Milanoviç vlerëson se kjo është gjeopolitiksht e nevojshme dhe një mjet efikas për qetësimin e të gjitha llojeve të tensioneve në këto hapësira.

“Nuk kemi ambicie të jemi të ashtuquajtur liderë rajonalë dhe as tutorë ose sponsorë të dikujt. Dëshirojmë të jemi shembull në ndërtimin e shteteve të qëndrueshme demokratike, ku jetojnë njerëz të lirë dhe të lumtur. Dëshirojmë të jemi miq, tek të cilët këto vende mund të mbështeten, gjë që u dëshmua gjatë përmbytjeve të paradokohshme, të cilat goditën fuqishëm Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën”, deklaroi Milanoviç në parlamentin kroat gjatë raportit vjetor të punës së qeverisë.

Kryeministri theksoi se Kroacia, si anëtare e Bashkimit Evropian, e përforcon ndikimin e saj në krijimin e qëndrimeve të përbashkëta evropiane, posaçërisht kur bëhet fjalë për rajonin.

“Kroacia ishte ajo që ndërmori iniciativën për qasjen proaktive evropiane të Bosnjës”, theksoi ai.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment