Maxhoranca kërkon shkarkimin e dy anëtarëve të KLD-së

kldNjë grup deputetësh të maxhorancës kanë depozituar së fundi në Kuvend kërkesën për shkarkimin e dy anetareve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, nënkryetarit Elvis Cefa dhe anëtarit, Lulzim Lelçaj, me argumentin se kanë shkelur rëndë ligjin.
Në kërkesën e tyre deputetët e shumicës së majtë shprehen se nënkryetari Cefa dhe anëtari Lelçaj, ndryshe nga detyrimi për të përçuar në KLD vullnetin dhe besimin e Kuvendit, kanë lejuar dhe janë bërë pjesë e shkeljeve të rënda në veprimtarinë e këtij Këshilli.
Në kundërshtim nga sa vendimi i Gjykatës Kushtetuese përcakton, se anëtarët e zgjedhur nga Kuvendi në KLD përçojnë frymën e organit ligjvënës, nënshkruesit e kërkesës së shkarkimit të dy zyrtarëve, argumentojnë se nuk është mbrojtur dhe mëshiruar prej tyre ky parim kushtetues, që garanton kontrollin dhe balancimin e pushteteve.
Deputetët e maxhorancës rendisin 10 shkelje të rënda të ligjit, ku nënkryetari Cefa dhe anëtari Lelçaj me veprimet dhe mosveprimet janë pjesë e tyre. Si argument të parë ata rendisin lejimin e konfliktit të interesit në promovimin e vetë anëtarëve të KLD-së.
Si fakt të parë të kësaj shkelje, deputetët e maxhorancës numërojnë zgjedhjen e anëtarit Gjin Gjoni, si anëtar i Këshillit drejtues të Magjistraturës; mosemërimin si gjyqtar brenda afatit të magjistratëve; mosemërimin e 28 kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin; emërimin e kryetarëve të gjykatave në kundërshtim me ligjin; promovimin kundra ligjit të gjyqtarëve e deri te keqorganizimi i sistemit gjyqësor, me pasojë privimin nga paga të gjyqtarëve.
Në shkeljet e KLD-së, deputetët rendisin dhe mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme.
Bazuar mbi këto shkelje, siç evidenton maxhoranca, kërkohet shkarkimi i nënkryetarit dhe anëtarit. Përpara këtyre fakteve, parlamenti nuk mund të heshtë, shprehen në fund të kërkesës deputetët e mazhorancës.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment