MAS udhëzim të ri për tërheqjen e dosjeve nga Universitetet private të mbyllura

masDrejtuesit më të lartë të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, gjatë këtyre dy ditëve, kanë sqaruar çdo paqartësi apo shqetësim që kanë studentët të cilëve nuk u janë dorëzuar dosjet me dokumentacionin e duhur për transferimin e studimeve nga Institucionet e Arsimit të Lartë që iu është hequr licenca.

Sipas këtij detyrimi, IAL-të  private që iu është hequr licenca, duhej t’u dorëzonin të gjithë studentëve që bënin kërkesë dosjet me dokumentacionin përkatës sipas parashikimit në këto akte e sipërpërmendura, brenda datës 01 shtator 2014, pa asnjë detyrim financiar shtesë nga ana e studentit. Dosjet e studentëve të cilët nuk kishin bërë kërkesë në IAL-të përkatëse, IAL-ja duhet t’i dorëzonte në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit (MAS) brenda datës 10 shtator 2014.

Së bashku me të gjithë bazën dokumentare që IAL-të disponojnë dhe mbi të cilën kanë zhvilluar aktivitetin e tyre që nga momenti i hapjes. Disa IAL private, në kundërshtim të hapur me sa parashikohet në aktet e sipërpërmendura, nuk i kanë dorëzuar dosjet studentëve dhe në një pjesë të mirë të rasteve u kanë kërkuar dhe u kanë marrë pagesë për dhënien e tyre. MAS po shqyrton dhe evidenton të gjitha rastet dhe ankesat e ardhura lidhur me sa më sipër dhe po përgatit denoncimet përkatëse për vënien para ligjit të personave përgjegjës. Lidhur me dosjet e studentëve të dorëzuara në MAS, grupet e punës po punojnë për inventarizimin dhe sistemimin e tyre. Në përfundim të këtij procesi do të bëhet dorëzimi i tyre individëve përkatës, sipas procedurave që do të përcaktohen në Udhëzimin e MAS, i cili  do të publikohet së shpejti në faqen zyrtare, www.arsimi.gov.al

Ministria e Arsimit dhe Sportit i kërkon të gjithë studentëve që nuk kanë marrë dosjet e tyre pranë këtyre IAL-ve të presin miratimin e Udhëzimit që MAS po përgatit, në lidhje me procedurat e tërheqjes së dosjeve pranë MAS dhe transferimi e studimeve. Udhëzimi që po përgatitet përmban gjithashtu dhe të gjitha modalitetet dhe procedurat për transferimin e studentëve që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e tyre në IAL publike apo private si dhe afatet e reja që do të përcaktohen për fillimin e aplikimeve pranë këtyre institucioneve.Ministria e Arsimit dhe Sportit konfirmon se do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë çdo studenti në mënyrë që ata të transferohen pa probleme në një institucion tjetër të arsimit të lartë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment