MAS, udhëzim për regjistrimin e studentëve që transferojnë studimet

masMinistria e Arsimit dhe e Sportit publikoi sot një udhëzim mbi “Procedurat e pranimit dhe regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë publik e privat, në vitin akademik 2014-2015″, të studentëve që transferojnë studimet nga institucionet private të arsimit të lartë, të cilëve u është hequr licenca.
Sipas njoftimit për shtyp, këta studentë mund të aplikojnë për transferimin e studimeve në IAL publike apo private sipas procedurave të këtij udhëzimi.

IAL–të publike, brenda orës 12:00 të datës 29 shtator 2014 do të përpilojnë dhe shpallin listat e programeve të studimit të ekuivalentuara, të cilat janë të detyruara t’i vendosin në vende të dukshme në mjediset e rektoratit dhe fakulteteve.

Nga data 29 shtator, deri në orën 12:00 të datës 3 tetor 2014, nga ana e studentëve, kryhet aplikimi për programet e studimit të ofruara nga fakulteti përkatës, sipas listave të programeve të studimit të ekuivalentuara.

Studentët janë të lirë të aplikojnë në programin e studimit që ata dëshirojnë, të njëjtë ose të ngjashëm me programin e studimit që kanë ndjekur. Ata nuk mund të aplikojnë për transferimin e studimeve në dy IAL njëkohësisht.

Deri në orën 12:00 të datës 8 tetor 2014, Komisionet e vlerësimit dhe ekuivalentimit të ngritura pranë IAL–ve publike kryejnë vlerësimin dhe ekuivalentimin e dosjeve të kandidatëve që rezultojnë të rregullta, duke u shprehur për çdo student aplikant, për vlerësimin dhe njohjen e lëndëve e detyrimeve të shlyera, krediteve të grumbulluara si dhe të periudhave të studimit të njohura.

Ministria e Arsimit dhe Sportit do t’i propozojë Këshillit të Ministrave kuotat e veçanta që do të aprovohen për vitin akademik 2014-2015, për studentët e transferuar nga IAL-të që iu është hequr licenca.

Në po këtë akt, MAS do të propozojë tarifat vjetore të studimit dhe konkretisht, për programet e studimit Bachelor tarifën 110. 000 lekë (përveç programeve Bachelor në arte, sporte, mjekësi, arkitekturë, ndërtim, për të cilat do të propozohet tarifa 290.000 lekë), ndërsa për programet e studimit Master – 160.000 Lekë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment