Lufta kundër terrorizmit, Tahiri në Emiratet e Bashkuara

tahiriMinistri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri ka zhvilluar sot një vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, në funksion të forcimit të bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Në takimin me ministrin e Brendshëm, njëkohësisht dhe zëvendëskryeministrin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Saif Bin Zayed Al Nahyan u diskutua mundësia e thellimit të bashkëpunimit mes policive të të dy vendeve për të luftuar terrorizmin dhe krimin e organizuar.

Ky bashkëpunim pritet të përfshijë shkëmbimin e informacionit dhe koordinimin e veprimeve për të parandaluar e goditur aktivitetin e grupeve terroriste në të dy vendet.

Ministri i Emirateve të Bashkuara shprehu gatishmërinë për të dërguar së shpejti një ekip specialistësh në Shqipëri për të detajuar teknikisht modalitetet e këtij bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Në të njëjtën kohë ai ofroi ekspertizë për trajnimin e strukturave të Policisë Shqiptare në luftën ndaj terrorizmit.

Tahiri e njohu homologun me hapat e ndërmarra dhe rezultatet e arritura nga Policia Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme, duke nisur nga trafiku i drogës, ai i armëve etj.

Një temë bisede mes palëve ishin edhe masat më të fundit të marra për të frenuar rekrutimin e shtetasve shqiptarë në grupet terroriste qe luftojnë në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment