Llogaria e pambyllur e drejtuesve vendorë

pyll i prereDrejtuesit e disa bashkive dhe komunave, që në deklarimin e pasurisë u gjetën milionerë në prona të patundshme dhe llogari bankare, ndërkohë që përpara marrjes së detyrës , ishin qytetarë të thjeshtë dhe të zakonshëm të qytetit apo komunës së tyre, kanë një llogari të pambyllur me opinionin publik të vendit . Ata duhet të kalojnë në sitën e vëmendjes qytetare, për mënyrën se si i kanë bërë këto pasuri, krahas “punës” që mund të kenë me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Masakra e betonizimit dhe ndërtimeve pa kriter në komunat përreth Tiranës, Durrësit, Vlorës, Kavajës dhe komunave bredetare e të brigjeve të liqeneve tona, duhet të ketë emrat e firmatarëve të saj.

Asgjësimi pa mëshirë i pyjeve në Dibër, Ersekë, Librazhd, etj ka dorën dhe mendjen e kryekomunarëve të zonave përkatëse. Çdo biznes në të errët ose me letra jo të qarta ndaj detyrimeve me Shtetin, është në mbrojtjen e tyre. Jo pa baza ka qarkulluar fjalnaja se filan kryekomunar të kërkon nga 40 mijë në 50 mijë dollarë për leje ndërtimi pallati 6 apo 10 kilometra larg Tiranës. Fjalët vijojnë me shifra disi më të ulura për ndërtimet në komunat rreth Durrësit e Kavajës, por shifrat rriten prapë kur zbret drejt Vlorës dhe në Rivierë… Kryekomunarët e pandërgjegjshëm, të kthyer në feudalë dhe kryesipërmarrës të zonës së tyre, kanë masakruar jo vetëm truallin, por zhvatur ose keqpërdorur pasuri të pallogaritshme të komunave tona.

Dhe asnjëherë, me përjashtim të rasteve kur i kallzon penalisht Kontrolli i Lartë i Shtetit(dhe atëhere janë turrur të blejnë prokurorë, që kallzimi të mos përfundojë në gjykatë), nuk kanë patur një vlerësim apo gjykim të paudhësive të tyre. Janë mbrojtur gjithnjë nga partia që i ka kandiduar, duke shtuar shërbimet servile ndaj bojarëve të partisë, sa më shumë abuzime e zullume kanë bërë me pronën publike. Denoncimet në publik për abuzimet e tyre, për shkak të frymës së vakët të kërkimit të llogarisë nga qytetarët dhe shoqërisë civile ende të paformuar si duhet në qytetet e tjera veç Tiranës, dhe në komunat e vendit, kanë qenë shumë të pakta. Por armata e abuzimeve të tyre është një armatë e frikshme me ushtarë të panumurt…

Prej kohësh, në zonat me perspektivë të qartë zhvillimi industrial, turistik e urbanizimi, lejet për ndërtime duhej t’u ishin hequr nga duart këtyre kryekomunarëve, që përfituan nga procesi i decentralizimit. Por politikës së deridjeshme, të lidhur me njëmijë fije me biznesin që kërkon aleanca të turbullta me Shtetin, i ka ardhur mirë abuzimi vendor dhe ka mbrojtur zullumet e drejtuesve vendorë, të cilët tregoheshin të pakursyer në fonde e “shërbime vullnetare” në periudha zgjedhjesh vendore. Kjo aleancë e turbullt e minuese për fatet e qeverisjes së ndershme vendore, duhet të përfundojë një herë e mirë.

Ka ardhur koha të dalin në pah, në një listë të plotë, të gjitha pronat e mëdha të vendorëve tanë, që kanë histori të dyshimta të prejardhjes së fondeve që kanë sjellë zotërimin e tyre. Vendorët abuzues kanë shërbyer si makineri pastrimi parash e zarfesh të siguruara nga “ndere” prokurimesh publike të shumë prej ish-ministrave të djeshëm. Shumë lidhje të tilla mund të zbulohen, me një hetim të gjithanshëm të pasruive nga ana e ILDKP-së, të lidhur ngushte me Prokurorinë e Shtetit e Drejtorinë e Krimit Ekonomik.

Çdo kryekomunari apo kryetari bashkie të kallzuart penalisht apo edhe thjesht në media për punë të dyshimta me pronat dhe sipërmarrjet e zonës së tij, duhet t’i bëhet, të paktën publikisht, e pamundur të kandidojë në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm. Me këtë nuk mbyllet llogaria e tyre e gjatë me opinionin publik(me drejtësinë deri tani një pjesë e tyre i kanë “rregulluar” punët). Karta e një vendori të tillë duhet djegur medoemos publikisht, pse për shumë të tillë syresh, partite e mëdha që do të garojnë, do të mbyllin njërin sy ose të dyja, duke i futur sërisht në vallen e zgjedhjeve, për shkak të lidhjeve dhe parave që mund të fusin në fushatë. Është koha të nisë një pastrim i tillë.

Submit a comment