Liderët e Ballkanit, të marrin shembull nga Marrëveshja historike e Prespës


Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481
4 minute read
Warning: Illegal string offset 'char-count' in /home/gazetamendimi/public_html/wp-content/themes/ink/stag-customizer/stag-customizer.php on line 481

Nga James Pardew “The Hill”

Diçka e rëndësishme, sapo ka ndodhur në Ballkan. Qeveritë në Athinë dhe Shkup, kanë miratuar të gjitha masat e dakordësuara mes tyre, për të ndryshuar emrin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë, në Republika e Maqedonisë Veriore, një çështje që kishte mbajtur peng raportet mes dy vendeve për dekada të tëra.

Javën e kaluar, parlamenti grek në Athinë, miratoi Marrëveshjen e Prespës, që përcakton masat e nevojshme për ndryshimin e emrit, dhe për heqjen e pengesave nga ana e Greqisë, për anëtarësimin në NATO dhe BE të Maqedonisë Veriore.

Por marrëveshja e suksesshme, nuk është aspekti më mbreselënës i kësaj arritjeje. Më në fund, krerët e dy qeverive ballkanike – kryeministri grek Aleksis Cipras, dhe ai maqedonas Zoran Zaev, të dy 44-vjeç, kanë vepruar në përputhje me interesin afatgjatë të kombeve të tyre, në vend se t’i përkuleshin presionit të ushtruar nga nacionalistët, të cilat kanë shkaktuar kaq shumë mjerime, dhe kanë mbajtur peng zona të mëdha të Ballkanit për vite me rradhë.

Cipras dhe Zaev, e realizuan këtë detyrë të vështirë, pa nivelin e zakonshëm të ndërhyrjes ndërkombëtare, të kërkuar në mosmarrëveshjet e mëparshme të Ballkanit. Vendimi i tyre për të kapërcyer kundërshtimin ekstrem, madje ndonjëherë të dhunshëm ndaj kësaj marrëveshjeje, është një akt i udhëheqjes së guximshme, që jep shpresë se edhe udhëheqësit e tjerë të rinj politikë në Ballkan, do të shfaqin të njëjtin guxim.

Emri i Maqedonisë Veriore, ka qenë i diskutueshëm që nga pavarësia e saj më 1991, nën emrin “Republika e Maqedonisë”. Kjo sepse termi Maqedoni, përfshinte bregun verilindor të Greqisë moderne, rajoni i dytë më i madh i populluar i këtij vendi.Ky pretendim i dukshëm për territorin dhe trashëgiminë e Maqedonisë së lashtë i zemëroi grekët, veçanërisht ata që jetonin në rajonin maqedonas të Greqisë moderne. Ndaj pasoi një përplasje e ashpër dhe e fortë midis dy kombeve.

Athina vuri veton ndaj kërkesës së Shkupit, për anëtarësimin në NATO në samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008. Për gjetjen e një zgjidhje diplomatike, OKB emëroi të dërguarin e saj Methju Nimetz, i cili drejtoi pa sukses dhe për më shumë se një dekadë negociatat për problemin e emrit, derisa kryeministrat aktualë patën vullnetin për ta zgjidhur atë.

Sa ishte në pushtet në vitet 2006-2016, partia nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, e bllokoi përparimin në këto negociata. Ajo gati e shkatërroi vendin në një luftë etnike të panevojshme me qytetarët e saj shqiptarë në vitin 2001, e cila u pengua vetëm nga negociatat aktive ndërkombëtare diplomatike, të cilat prodhuan Marrëveshjen e Ohrit.

Nacionalistët e Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga Nikola Gruevski, përdorën frikën dhe përplasjet etnike për të ruajtur pushtetin, dhe për të zbehur çdo lloj shprese për zgjidhjen e negociuar të problemit të emrit. Ndërkohë, regjimi i Putinit në Kremlin, e pa Ballkanin si një terren veçanërisht pjellor, për të praktikuar strategjinë e tij të re të korrupsionit, propagandës dhe manipulimit përmes internetit, me synim destabilizimin e demokracisë dhe për të përçarë NATO-n, BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndërhyrja e Kremlinit për çështjen e emrit ishte kaq e hapur, sa që Greqia dëboi diplomatët ruse që u kapën duke paguar me para demonstruesit vendas, për të protestuar kundër negociatave. Rëndësia e kësaj marrëveshjeje të re për Maqedoninë e Veriut, është mëse e qartë.

Por edhe Greqia gjithashtu përfiton nga marrëveshja. Ajo ka tashmë në kufirin e saj një anëtare më të qëndrueshme dhe më të pranuar të familjes evropiane dhe euroatlantike të kombeve, në vend të një fqinji armiqësor, të frikshëm dhe potencialisht të paqëndrueshëm.

Lidershipi jashtëzakonshëm i treguar nga Cipras dhe Zaev, ka qenë jashtëzakonisht i rrallë në Ballkan, dhe ata meritojnë vlerësime për burrështetësinë e treguar. Shpresojmë tani, që edhe udhëheqësit në Bosnje, Serbi dhe Kosovë, të marrin shembull prej tyre.

Nëse liderët në Sarajevë, Beograd dhe Prishtinë, do arrijnë ta kuptojnë potencialin e dëshmuar nga shembulli i Greqisë dhe Maqëdonisë së Veriut, ata mund të fillojnë ta nxjerrin veten dhe vendet e tyre nga “moçali” i urrejtjes etnike, dhe të ndihmojnë në konsolidimin e demokracisë dhe stabilitetin e ardhshëm të Ballkanit.

Shënim:James W.Pardew është ish-ambasador i SHBA-së në Bullgari. Ai ka shërbyer si zv/ndihmëssekretar i përgjithshëm i NATO-s, dhe është autor i librit “Paqebërësit:Lidershipi amerikan, dhe fundi i gjenocidit në Ballkan”.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment