Leksioni rumun për hapjen e dosjeve

Romanian_burgIon Ficiroun, ish-komandanti i një kampi pune në Rumani, ku 50 vjet më parë vdiqën 103 të burgosur politikë, përfundoi në gjykatë. Pak rëndësi ka se sa do të dënohet pas këtij procesi. Por bijtë e atyre që humbën jetën, nipërit e mbesat e tyre, por edhe shoqëria rumune, tashmë ka mundësinë të shohë pas hekurave një njeri që të burgosurve që kundërshtonin sistemin u mohonte ushqimin, trajtimin mjekësor, torturimin dhe përballjen me kushtet ekstreme të klimës. Një format ky i dëshmuar rëndom për dhjetëra ish-komandantë kampesh të të internuarve apo ish-burgjeve politike në Shqipëri nga dëshmitarë që kanë kaluar dekada në këto kampe e burgje.  Në njoftim thuhet se ligjet në Rumani nuk e ndalojnë këtë hetim edhe pasi kanë kaluar shumë vite nga kryerja e krimit. Ndërsa Shqipëria, edhe pas dëshmive nga At Zef Pllumi, Ejll Çoba, Lek Pervizi, Spartak Ngjela, Luan Myftiu, Agim Musta apo edhe shumë e shumë të tjerëve, për të tilla krime, jo vetëm që nuk ka mundur kurrë të drejtojë gishtin ndaj emrave të përmendur prej këtyre vuajtësve, por nuk po gjen dot kurajën që dëshmitë e tyre të gjejnë vend në tekstet shkollore, ku fëmijët të mësojnë më së paku se çfarë ka ndodhur.  Në fakt, leksioni rumun vjen në një kohë kur duket se shoqëria shqiptare po mësohet me pamundësinë e hapjes së dosjeve të ishdiktaturës. Ish-pjesëtarët e Sigurimit famëkeq apo komandantë e zyrtarë të tjerë që torturonin “ekstra dënimit” të burgosurit politikë, kanë dëshmuar në këto 24 vite se ruajnë lidhjet dhe fuqitë e tyre për të mbyllur gojën e politikës. Madje kanë mundur me fanatizëm që të prishin shumicën e gjurmëve ku janë kryer këto krime.Në këtë rrugëtim, shumë shpejt një pjesë e qytetarëve të lindur pas vitit 1990 dhe të panjohur me atë ç’ka ndodhur realisht, mund të kërkojë fare lehtësisht ndërprerjen e dëmshpërblimit, pasi ai rrezikon të konsiderohet si një “çështje e çuditshme”. Ndërkaq, pavarësisht përpjekjeve të Institutit të Studimeve për Krimet e Komunizmit për botime të ndryshme apo ngritjen e monumenteve të kujtesës, ne rrezikojmë të mos kemi një studim të mirëfilltë lidhur me deformimin psikik të shoqërisë në atë kohë, ku shumë prej shqiptarëve humbën çdo lloj identiteti, ndërkohë që të ekspozuarit kundër atij modeli u internuan dhe burgosën për dekada me radhë. Dhe është pikërisht ky moslexim që e bën më të rëndë gjendjen, se sa thjesht dënimi i disa personave.  Historia ka treguar se çdo moslexim i së shkuarës lë pas jo thjesht mundësinë e kthimit të hijes së tij, por edhe mbretërimin e atij morali që ushqeu shumë prej atyre që kryen krimet, duke tejkaluar çdo vendim gjykate të asaj kohe. E natyrisht, që shumë prej pushtetarëve në këto 24 vite mund t’i ketë leverdisur t’i përdorë ish-pjesëtarët e Sigurimit, duke besuar se ashtu ata i shërbenin më mirë. Por, fitoret e tyre kanë qenë vetëm në kurriz të së ardhmes së shqiptarëve, të cilët për të ndërtuar një të nesërme të mirë kanë nevojë të lexojnë drejt historinë e tyre, të djeshmen e tyre, që të mos jenë të gënjeshtërt në hapat që hedhin. Sidomos në hapat që kanë të bëjnë me edukimin e brezit që do të marrë në dorë fatet e këtij vendi.  Gjermania, Çekia, Polonia, që e kanë bërë hapjen e dosjeve me kohë, si dhe rasti më i fundit i Rumanisë, tregojnë nevojën e pakundërshtueshme të shoqërive të kulturuara për t’u njohur me të keqen që ka kaluar, me qëllim që asnjë hije, sado e vogël e asaj të keqeje, të mos bashkëjetojë me jetët e tyre, sepse ashtu do të lërë pasojat e infektimit, më së paku të mosditurit të të thënit të së vërtetës. E një shoqëri pa të vërtetë është si një i verbër në një rrugë, ku edhe pse mund të shkojë larg, nuk do të dijë kurrë konturet e vërteta të hapave që hedh.

Agim Baci

Submit a comment