Lame: Në qarkun Tiranë, 14 mijë ndërtesa të bllokuara

lameDrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve, Artan Lame deklaroi sot se për rreth 14 mijë objekte është paralizuar procesi i legalizimit për shkak se planet rregulluese të hartuara nga bashkitë Tiranë, Kamëz, dhe komuna Paskuqan, nuk kanë marrë parasysh gjendjen ekzistuese në zonat ku ndodhen këto objekte. “Ne po përgatisim kërkesën zyrtare drejtuar kryeministrit Rama, në cilësinë e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Territorit për të rishikuar planet e përgjithshme rregulluese të bashkisë Tiranë, Kamëz dhe komunës Paskuqan”, deklaroi Lame.

Kreu i ALUIZNI-t tha se e gjitha kjo bëhet me qëllim rishikimin e zonimit funksional dhe përdorimit të tokës në këto zona, rishikimin e planifikimit të lartësisë së ndërtimit në këto zona dhe rishikimin e rrjeteve të infrastrukturës rrugore.
“Mbetemi të hapur për të zgjidhur këtë situatë me marrëveshje. Nuk duam që qytetarët të besojnë se reforma e legalizimit mbetet në dorë të papërgjegjshmërisë politike. Por kjo është e vetmja zgjidhje nëse mbetemi vetëm në këtë rrugë, nëse nuk ofrohet bashkëpunimi nga këto njësi vendore”, deklaroi Lame. Vetëm në bulevardin “Berisha”, Kamëz, theksoi Lame, në një gjatësi prej 3-4 km, në planin rregullues është parashikuar ndërtimi i objekteve të larta, kur i gjithë bulevardi  është i ndërtuar me ndërtime të ulëta. Ndërtimet në këtë bulevard bllokohen dhe nuk mund të legalizonen, deklaroi Lame.
Sipas Lames, pezullimi i planeve të përgjithshme për këto zona nuk mjafton, pasi duhet bërë rishikimi i menjëhershëm i tyre, për të bërë të mundur procesin e legalizimeve të këtyre familjeve.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment