Laçi kalon Apoloninë

laciLaçi fitoi, falë James që ishte njeriu i kësaj ndeshjeje. Një humbje e rëndë për Apoloninë, që nuk po arrin dot të ringrihet.

James Adeniye i kishte munguar vërtetë Laçit, pasi rikthimi i tij i dha fitoren kurbinasve ndaj Apolonisë. Nigeriani, që kishte qëndruar për një kohë të gjatë jashtë fushave, la shenjën e tij në rikthim, ku i mjaftuan vetëm 45 minuta ndaj fierakëve për të shënuar dy herë në portën e fierakëve, e për të ngjitur Laçin në renditje, që regjistroi suksesin e dytë radhazi, pasi mundi 1 javë më parë Elbasanin në shtëpi. Një humbje e rëndë për Apoloninë, që këtë herë përveç mungesës së lojës, vuajti dhe mungesën e tifozëve në tribuna, aq më tepër në një ndeshje të rëndësishme për fierakët, që kishin humbur dy ndeshjet e fundit duke u pozicionuar të fundit në tabelën e renditjes. Fakti, që dy ekipet kërkonin me ngulm pikën e bëri ndeshjen të ishte e kujdesshme në maksimum nga të dyja formacionet. Apolonia e nisi pak më këmbëngulëse por pa patur raste konkrete, të cilat në pjesën e parë ishin me pikatore. Me kalimin e minutave sfida u balancua dhe Laçi, në të 25-tën pati mundësinë më të mirë për të kaluar përpara, me Cetkovic që hyri mirë në zonë por u ndal nga Mico që bëri një pritje të jashtëzakonshme. Pjesa e parë u mbyll pa gola, ndërsa në pjesën e dytë pas një mungese të gjatë u rikthye në fushë për kurbinasit, James, që zëvendësoi Memellin. Një lëvizje që pati efekt të menjëhershëm për Laçin, që në të 54-trën, gjeti golin e avantazhit.

Goli çliroi miqtë, që në të 62-tën, patën sërish shansin për të realizuar me Cetkovic, por ky i fundit nuk u tregua i saktë. Gjithsesi kjo ishte ndeshja e nigerianit James, që në të 65-tën i shpëtoi mbulimit të mbrojtjes fierake për të realizuan golin e 2-të.

Laçi mund të kishte thelluar më tej shifrat, por për Cetkovic ishte një ditë jo, pasi në minutën e 87-të u ndal sërish nga Mico. Gjithsesi Laçi fitoi, falë James që ishte njeriu i kësaj ndeshjeje. Një humbje e rëndë për Apoloninë, që nuk po arrin dot të ringrihet.

Submit a comment