Kuvendi voton nesër shkarkimin e Fullanit

kuvendiKuvendi i Shqipërisë pritet të miratojë të enjten në seancë plenare pr/vendimet për shkarkimin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani dhe shkarkimin e Inspektorit të Përgjithshëm, Elivar Golemi.
Një javë më parë komisioni i Ekonomisë miratoi propozimin e Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, që shkarkoi nga detyra Guvernatorin Fullani dhe kryeinspektoren Golemi, pas arrestimit të tyre nën akuzën ‘për shpërdorim detyre”, e lidhur me skandalin e vjedhjes së 713 milion lekëve nga Banka Qendrore. Baza ligjore e shkarkimit të dy zyrtarëve ishte ‘për shkelje të etikës në punë dhe cënim të thellë të interesave të Bankës së Shqipërisë”.
Miratimi i këtyre pr.vendimeve nga Kuvendi i hap rrugën vijimit të procedurave për emërimin e drejtuesve të rinj të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, i cili ka mbetur me katër anëtarë, nga 7 që duhet të ketë.
Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama përmes rrjeteve sociale ftoi të gjithë shqiptarët që punojnë e kanë përvojë në sistemin bankar, brenda dhe jashtë vendit, që të konkurojnë për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit Mbikqyrës të BSH-së.
Vjedhja e rreth 713 milion lekëve nga mjediset e Thesarit u denoncua rreth dy muaj më parë nga drejtues të BSH-së, duke çuar në arrestimin, fillimisht të punonjësve Ardian Bitraj dhe Mimoza Bruzia, dhe më pas dhe të disa nëpunësve të tjerë, situatë që kulmoi me arrestimin e Guvernatorit Adrian Fullani dhe të kryeinspektores Golemi, më 28 gusht. Pas apelimit të vendimit nga avokatët, Ardian Fullanit iu lehtësua masa në arrest shtëpie, ndërsa Golemi vijon të qëndrojë në burg. 

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment