Kuvendi miraton marrëveshjen me IBRD-në

kuvendi 2Kuvendi miratoi sot me 72 vota pro marrëveshjen e huasë për financimin e projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD).

Kjo marrëveshje ka synim rimëkëmbjen e sektorit të energjisë elektrike dhe është në përputhje me programin politik të Këshillit të Ministrave dhe me programin analitik të akteve dhe dokumente të tjera politike.

Marrëveshja e huasë për financimin e projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike parashikon një kredi, e cila do të sigurojë financimin e projektit të rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike në Shqipëri.

Objektivi kryesor i projektit është rritja e sigurisë së furnizimit të konsumatorit me energji elektrike nëpërmjet diversifikimit të burimeve të gjeneruara dhe forcimit të integrimit rajonal. Synohet gjithashtu, përmirësimi me efikasitet i sistemit të shpërndarjes së energjisë nëpërmjet zvogëlimit të humbjeve në rrjet dhe përmirësimit të sistemit të mbledhjes së të ardhurave, përmirësimi i tregut të energjisë elektrike, si dhe prezantimi i reformave të energjisë në sektorin e energjisë për krijimin e një tregu konkurues, reforma të cilat do të ndihmojnë në thithjen e investimeve private dhe reduktimin e rreziqeve fiskale për qeverinë.

Po ashtu, përmes marrëveshjes me IBRD-në do të bëhet e mundur instalimi i 300 mijë matësve. Me shumicë votash u miratuan edhe ndryshimet në ligjin për aviacionin civil.

Submit a comment