Kuvend-Braçe: Të prishen kontratat me koncesionaret që nuk sjellin efekte pozitive në buxhet

braceKryetari i komisionit parlamentar të Ekonomisë, Erjon Braçe, kërkoi sot në Kuvend prishjen e kontratave me kompanitë koncesionare të pullave fiskale dhe markimit të karburanteve, të cilat nuk kanë sjellë efekte pozitive në buxhetin e shtetit, përkundrazi janë bërë një barrë për të. Braçe tha se këtë kontrata, që janë lidhur nga qeverisja e meparshme, vazhdojnë t’i sjellin fitime të larta ‘oligarkisë së djeshme’,  qe sundon ne treg, duke shitur mallra me çmime të shtrenjta.
“Të prishen kontratat me koncesionarët, të cilat nuk janë zbatuar dhe nuk kanë sjellë efekte pozitive në buxhetin e shtetit dhe të tilla janë kompanitë për markimin e karburanteve apo ato të pullave fiskale. Ato janë një barrë e madhe për qytetarët duke vazhduar të arkëtojnë miliona dollarë për llogari të Sali Berishës, pavarësisht se janë lidhur në qeverisjen e shkuar”, u shpreh deputeti Braçe gjatë fjalës së mbajtur sot në parlament, në kuadër të rishikimit të buxhetit 2014.
Ai përsëriti rezervat dhe për arkëtimet e ulëta nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sidomos për mallrat e forta, si kafeja apo cigaret. “Në pesë vitet e fundit, ndërsa kompanitë përkatëse vazhdojmë të arkëtojnë fitime, në buxhetin e shtetit ato derdhin minimumin. Por, kohët kanë ndryshuar dhe nëse këto kompani duan të rrinë në treg duhet të ndryshojnë, në të kundërt konkurenca është e ndjeshme”, theksoi Braçe.
Në këtë kontekst ai drejtoi kritika dhe për koorporatat e mëdha në vend, ajo energjitike apo koorporata e karburanteve, të cilat kanë mungesa në buxhet, që vijnë nga mosarkëtimet e TVSH-së. “Duhet të ndryshojë menazhimi i tyre, pasi ato nuk mund të vazhdojnë të bëhen barrë për buxhetin e shtetit”, nënvizoi Braçe.

Kryetari i komisionit të Ekonomisë foli sot në Kuvend dhe për fitimin e Bankës së Shqipërisë dhe një pjesë e të cilit i takon buxhetit të shtetit. Ai kërkoi, që pavarësisht zhvillimeve në këtë institucion, pas skandalit të vjedhjes së 7.13 milion dollarëve, ky fitim të mos ulet.
“Fitimi i Bankës Qendrore nga 82 milion dollarë që ka qënë një vit më parë ka përfunduar në 19 milion dollarë, ndërsa vitin tjetër do të jetë shumë më poshtë se kaq, madje në shifra qesharake. Por, tashmë kur sistemi është i qëndrueshëm, likuid dhe po prodhon fitim, buxhetit të shtetit detyrimisht i takon një pjesë e këtij fiitimi nga një veprimtari publike dhe që mbështetet pikërisht në përdorimin e parave që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët”, u shpreh Braçe.
Ai iu referua nenit 8 të ligjit “Për Bankën”, ku në mënyrë precize sanksionohet mënyra se si llogaritet fitimi i BSH-së. “Asnjë dëm i shkaktuar nga veprimtaria e papërgjegjshme apo kriminale nuk mund të konsiderohet shpenzim i zbritshëm nga fitimi që i transferohet buxhetit të shtetit”, saktësohet në nen.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment