caMakthi ka marrë fund dhe Burim Kukeli është rikthyer tek kombëtarja Shqiptare pas një mungese 2-vjeçare për shkak të dëmtimi të rëndë.

Makthi ka marrë fund dhe Burim Kukeli është rikthyer tek kombëtarja Shqiptare pas një mungese 2-vjeçare për shkak të dëmtimi të rëndë të pësuar në Shkurtin e 2013 me skuadrën e Zyrihut. Ndeshja e fundit me fanellën kuqezi e mesfushorit daton më 16 Tetor të 2012 ndaj Sllovenisë në eliminatoret e kampionatit Botëror të Brazilit. Për Sport News në linjë telefonike nga La Coruna, 30-vjeçari shprehet i lumtur për këtë rikthim, duke evidentuar kualitetin që gjen në kombëtare.

“Jam i lumtur për këtë rikthim në ekipin kombëtar. Ka pak ndryshime nga skuadra që lash në 2012. Atmosfera është e mirë dhe është një grup me kualitete, por këtë duhet ta tregojmë në fushë”.

Rikthimi tek kuqezinjtë vjen me një ndeshje të vështirë për skuadrën e drejtuar nga italiani De Biasi. Të Dielën në mbrëmje shorti i Euro 2016 i ka rezervuar Shqipërisë një përballje me Portugalinë, një emër i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. Edhe pse mungon ylli botëror Cristiano Ronaldo, mesfushori Kukeli vlerëson Luzitanët por nuk tregon shenja frike.

“Nuk kemi frikë por respekt. Ne e dimë çfarë ekipi ka Portugalia, me futbollistë që luajnë në skuadrat më të mira në Europë. Duhet të bëjmë lojë të mirë dhe si çdo herë hyjmë në fushë për të marrë rezultat pozitiv. Portugalia është favorit por duhet të japim maksimumin pastaj do të jetë fusha që do të tregojë gjithçka”.