Kryeministri Davutollu viziton Bakunë

Kryeministri DavutolluKryeministri Ahmet Davutollu vizitën e parë jashtë vendit pas Republikës Turke të Qipros së Veriut e realizon në Azerbajxhan. Në aeroportin “Hajdar Alijev” të Bakusë dje Ahmet Davutollu u prit me ceremoni zyrtare nga Zv.kryeministri i Azerbajxhanit Abid Sherifov. Sot paradite Kryeministri Ahmet Davutollu vizitoi varrin monumental të Hajdar Alijevit si dhe Varrezat e Dëshmorëve në Baku. Pas këtyre vizitave Davutollu u prit në takim nga Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Alijev. Pas takimit Davutollu dhe Alijev dolën para kamerave në një konferencë të përbashkët shtypi. Davutollu vuri theksin në rëndësinë e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Këto 10-12 vitet e fundit marrëdhëniet Turqi-Azerbajxhan kanë shënuar një progres shumë të rëndësishëm. Kemi vënë në jetë shumë projekte. Ky është një shembull i bukur në një kohë që në Kaukaz dhe Lindjen e Mesme ka kriza. Po të shikojmë projektet me të cilat jemi interesuar, vëmë re se ato janë projekte që sjellin paqe për të gjithë rajonin, jo vetëm për të dyja vendet. Kur Azerbajxhani dhe Turqia i japin dorën njëri-tjetrit, nga kjo nuk dalin të fituar vetëm Turqia dhe Azerbajxhani, por i gjithë Kaukazi, i gjithë Ballkani dhe madje nga kjo fiton edhe Evropa me Azinë”, shpreh Davutollu.

Kurse Alijev nga ana e tij vuri theksin në fuqinë e lidhjeve që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve. Alijev tha:

“Turqia me Azerbajxhanin janë dy popuj vëllezër që për shekuj me radhë kanë vazhduar ta mbështesin njëri-tjetrin. Të ardhmen tonë ne e ndërtojmë së bashku si dy shtete të pavarura. Marrëdhëniet tona politike njohin zhvillime çdo ditë”.

Më pas Davutollu vizitoi shkollën e mesme “Anadolli” të varur nga Ministria e Arsimit Kombëtar në Baku.

Pastaj pati nga një takim të ndarë me Kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Azerbajxhanit Oktaj Esedov dhe Kryeministrin Artur Resizade.

Nesër Kryeministri Ahmet Davutollu do të marrë pjesë në ceremoninë e hedhjes së themeleve të Projektit të Gazsjellësit Korridori i Jugut dhe në darkë do të largohet nga Azerbajxhani.

Gjatë vizitës dhe kontakteve në Baku Kryeministri Davutollu shoqërohet nga zv.kryeministri Jallçën Akdoan, Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore Taner Jëlldëz dhe Ministri i Arsimit Kombëtar Nabi Avxhi.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment