Kryeministri Davutollu lexon programin e qeverisë së re në Parlament

dafKuvendi i Madh Popullor i Turqisë u mblodh të hënën në seancë plenare me axhendë Programin e Qeverisë së 62-të turke.

Përpara leximit të programit të qeverisë së re, zv/kryeministri Numan Kurtullmush dhe ministri i Punëve të Brendshme, Efkan Ala, bënë betimin në Parlament.

Më pas, Kryeministri Ahmet Davutollu lexoi në seancë plenare programin e qeverisë së 62-të të Republikës së Turqisë.

Në programin e qeverisë së re u vu theksi mbi “Turqinë e Re”.

“Falë këtyre zgjedhjeve janë hapur deri në fund portat e Turqisë së Re; synimi ynë është të bëhemi një vend shumë më i fuqishëm dhe shembullor. Jemi të vetëdijshëm për përmasat e mëdha të përgjegjësisë sonë. Nuk do të jemi një vend, agjenda e të cilit përcaktohet nga të tjerët”, deklaroi shefi i ri i Ankarasë zyrtare.

Programi i qeverisë së re turke nënvizon gjithashtu se do të vazhdohet me vendosmëri lufta kundër elementëve, që kërcënojnë demokracinë dhe sigurinë kombëtare.

“Lufta brenda kornizës ligjore dhe me vendosmëri kundër strukturave, që i kanosen demokracisë dhe sigurisë tonë kombëtare, është një detyrë që na e kërkon populli ynë, një përgjegjësi që ai vet na e ngarkon mbi supe. E parë nga ky aspekt, nuk do të gjunjëzohemi dhe s’do të bëjmë lëshime përballë asnjë presioni antidemokratik. Do të hedhim hapat e nevojshme; do t’i kushtojmë rëndësi dialogut, nismave pajtuese dhe bashkëpunimit në Parlamentin tonë; do të përparojmë në kursin e përcaktuar nga Kuvendi ynë”, theksoi Kryeministri Davutollu.

Duke vënë në pah se projekti i unitetit dhe solidaritetit kombëtar do të përbëjë një pikat kryesore të agjendës edhe për qeverinë e re, Ahmet Davutollu vijoi me këto fjalë: “Në këtë periudhë të re, sërish nuk do të sprapsemi për të shpalosur vendosmërinë tonë po ashtu në fushat e integritetit shoqëror dhe procesit të zgjidhjes. Qeveria do të vazhdojë të përqafojë fort projektin e vëllazërisë, që do të ndryshojë fatin e Turqisë.”

Gjithashtu, në programin e qeverisë së re u tërhoq vëmendja mbi pavarësinë e gjyqësorit.

Një tjetër çështje e rëndësishme në programin e qeverisë së 62-të turke ishte dhe kushtetuta e re.

Kushtetuta aktuale nuk ka mjete të ekuilibrit dhe kontrollit demokratik, -tha Kryeministri Davutollu. “Besojmë se duhet hartuar një kushtetutë e re në vend të kësaj aktuale të imponuar, diskriminuese dhe të bazuar në inxhinierinë sociale. Turqia e Re duhet të qeveriset me kushtetutën e saj të re civile dhe demokratike”, shtoi ai.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment