Kriza bërthamore e Koresë së Veriut, është shumë larg fundit të saj

Nga Dr.John C.Hulsman “Arab News”

Edhe pse kritikohet shpesh me të drejtë për shumëçka, Donald Trumpi, meriton t’i njihet merita e ndryshimit rrënjësor të taktikave amerikane, përkundrejt çështjes së armëve bërthamore të Koresë së Veriut.

Administratat e Klintonit, Bushit dhe Obamës, ndoqën rrugën më të thjeshtë, duke shmangur opsionet e rrezikshme, që mund ta kishin ndaluar Phenianin, Kim Jong Unin dhe paraardhësit e tij nga fitimi i aftësisë për të ndërtuar armë bërthamore, një fakt që sigurisht nuk e ka bërë botën më të sigurtë.

Tani të dëgjosh kritikët e Trumpit – shumë prej të cilëve kanë punuar në presidencat, që nuk bënë asgjë mbi këtë problem – që e sulmojnë atë, ky është kulmi i hipokrizisë. Kjo është veçanërisht e vërtetë, pasi është kryesisht papërgjegjshmëria e tyre, arsyeja pse e shohim sot veten në rrëmujën aktuale.

Shtëpia e Bardhë e Trumpit, në mënyrën e saj tipike përçarëse, ka bërë diçka të pashembullt më parës. Duke flakur tej të gjitha etiketat e mëparshme, Trump kontaktoi direkt me liderit suprem komunist, duke e takuar Kim Jon Un në 3 raste, në një përpjekje për të ndërtuar një lloj besimi të ndërsjellë, në mënyrë që t’i jepet fund ngërçit diplomatik.

Samitet e Singaporit (qershor 2018), Hanoit (shkurt 2019), dhe takimi i fundit në kufirin mes dy Koreve (qershor 2019), përbënin një kontrast të ashpër dhe të mirëpritur me takimet e pafundme, por të kota të grupeve të punës gjatë dekadave të mëparshme, të cilat bënë shumë zhurmë për asgjë.

Por është thelbësore të mbahet mend, se kanë ndryshuar vetëm taktikat, dhe jo strategjia amerikane. SHBA-ja bën ende thirrje për një shkatërrim të plotë, dhe të verifikueshëm të gjithë programit bërthamor të Koresë së Veriut. Vetëm pas kësaj, Uashingtoni do të hyjë në diskutime rreth dhënies fund të sanksioneve, që e kanë shkatërruar më tej ekonominë tashmë në krizë të Koresë së Veriut.

Nga ana tjetër, për Phenianin “denuklearizimi” nënkupton heqjen nga Gadishullit i Koresë i të gjitha armëve bërthamore. Në praktikë, regjimi i Kim ka bërë thirrje për një ngrohje të fortë të marrëdhënieve mes 2 vendeve, me skenarin më të mirë që është një denuklearizim i pjesshëm i programit të tij, në këmbim (në të njëjtën kohë dhe jo më vonë) të lehtësimeve të rëndësishme të sanksioneve ndërkombëtare.

Pra, që të dy palët nuk kanë pasur asnjëherë të njëjtën gjë ndër mend me “denuklearizimin”. Konceptualisht, nuk ka asnjë marrëveshje në horizont. Thelbi ka humbur në kërcënimet retorike të mëparshme, gjatë dy viteve të para të presidencës së Trump.

Më tej, një armëpushim de fakto – bazuar ironisht rreth një ideje kineze – i qetësoi gjërat për njëfarë kohe. Në thelb, plani ishte fillimisht i thjeshtë. SHBA-ja dhe aleatët e saj të Koresë së Jugut, do të ndalonin stërvitjet e tyre të rregullta ushtarake (për të cilat Koreja e Veriut, druhet se janë drejtuar kundër saj), dhe në këmbim Pheniani do të ndalonte testet e mëtejshme të raketave bërthamore.

Por pas dështimit të samitit të Hanoit në shkurt të këtij viti – që u prish refuzimit të Trump, për të ofruar një lehtësim të sanksioneve ndaj Koresë së Veriut, në këmbim mbylljes nga Pheniani të bazës së tij bërthamore në Jongbjon (objekti kryesor nuklear i vendit) – armëpushimi u bë gradualisht i paqartë.

I irrituar nga mungesa e lehtësimit ekonomike nga ana e SHBA-së, Kim ka nisur lëvizjet për thellimin e krizës, duke kryer teste të reja të raketave balistike me rreze të kufizuar, si në korrik ashtu edhe në gusht. Nga ana tjetër, edhe SHBA-ja, është larguar nga formati i mëhershëm i kërkimit të armëpushimit, duke rifilluar në heshtje stërvitjet e përbashkëta ushtarake me Korenë e Jugut, që në nëntorin e vitit 2018.

Dhe përtej suksesit optik të takimit mes Trump dhe Kim, nga Singapori në Hanoi, dhe në pikën kufitare Panmunjom, ka pasur gjithnjë më pak gjëra thelbësore për të treguar. Për shembull, në qershor në Panmunjom, Trump dhe Kim u zotuan të nisin negociatat mbi programin bërthamor.

Që atëherë, nuk është zhvilluar asnjë takim i njohur midis palëve, në asnjë lloj niveli. Atmosfera mund të jetë më e mirë, por asgjë nuk është arritur në thelb. Për shkak se nga ekonomia e vendit, varet edhe mbijetesa e tij, Kim është shumë i vetëdijshëm për këtë.

I irrituar, dhe i vetëdijshëm që vendi i tij nuk është më në krye të titujve të mediave botërore, regjimi i Kim ka premtuar të rifillojë testimet bërthamore të raketave me rreze të gjata në fund të vitit 2019. Duke pasur parasysh besimin që ai ka tek ushtria e Koresë së Veriut për mbijetesën e vet të vazhdueshme, dhe i dëshpëruar për të shpëtuar fytyrën, do të ishte gabim të mos i merrnim fjalë për fjalë deklaratat e Liderit Suprem. Kriza bërthamore e Koresë së Veriut, është shumë larg fundit të saj.

Përktheu:Alket Goce

Submit a comment