Kremlini nën rrethim

Nga Roman Dobrokhotov “Al Jazeera”

Këto ditë, Moska duket sikur është nën pushtimin e trupave armike. Dhjetëra mijëra pjesëtarë të forcave të sigurisë të armatosur rëndë, kanë bllokuar rrugët kryesore, që të çojnë drejt qendrës së qytetit.

Banorët nuk kanë qenë në gjendje të shkojnë thuajse në asnjë vend, pa u ndalur në pikat e ndryshme të kontrollit, ku  u kërkohet të tregojnë mjetin e tyre të identifikimit. Vetëm disa javë më parë, askush nuk do ta merrte me mend, që një procedurë zgjedhore banale e zgjedhjes së anëtarëve të këshillit bashkiak të qytetit të Moskës, që ka në fakt shumë pak kompetenca, do të çonte në një moment gati-revolucionar.

Në mesin e muajit korrik, autoritetet lokale i skualifikuan të gjithë kandidatët e pavarur, që tentuan të regjistroheshin për zgjedhjet e planifikuara të 8 shtatorit. Justifikimit varionin:Disave nuk iu pranua regjistrimi, pasi gjoja kishin bërë gabime në formularin e rregjistrimit, nuk kishin mbledhur firmat e mjaftueshme, dhe të tjerët se gjoja kishin dorëzuan firma të falsifikuara, dhe kjo pavarësisht nga fakti se disa qytetarë u paraqitën personalisht tek autoriteteve, dhe konfirmuan se firmat e tyre ishin origjinale.

Nëse Kremlini do të kishte lejuar garimin e disa kandidatëve të opozitës për zgjedhjet e këshillit të ri bashkiak të Moskës, ai nuk do të përballej me një kërcënim kaq të madh. Përkundrazi, ai jo vetëm që i pengoi opozitarët të kontestojnë procesin, por edhe e përshkallëzoi situatën.

Autoritetet lokale, nuk pranuan t’i lejojnë drejtuesit e opozitës të zhvillojnë një protestë në qendër të qytetit, gjë që e provokoi më tej publikun. Për pasojë më 27 korrik, dhjetëra mijëra banorë të Moskës dolën në rrugë për të kërkuar që kandidatët e pavarur të lejohen të garojnë në zgjedhjet lokale.

Ndoshta, Kremlini nuk e priste një trazirë të tillë. Ndër vite kandidatët e pavarur, nuk janë ndaluar të garojnë në zgjedhjet lokale, por kjo nuk kishte shkaktuar protesta publike. Situata ishte e njëjtë në qytetet e tjera, edhe në Shën Petersburg, ku kandidatët e pavarur janë skualifikuar.

Pas 27 korrikut, u bë e qartë se zgjedhjet lokale, janë një shans i mirë që rusët të shprehin pakënaqësinë e tyre në rritje, me ata që janë sot në pushtet, gjë që u reflektua në disa nga parullat që protestuesit hodhën atë ditë:”Rusia do të jetë e lirë!”, “Poshtë policia sekrete!” etj.

Kërcënimet nga dhuna e huliganëve të paguar enkas nga auturitetet, dhe thirrjet për ndërhyrjen e ushtrisë, nuk i penguan njerëzit të dilnin në rrugë. Më 3 gusht u mbajt një protestë tjetër e madhe, që nxorri sërish në rrugë turma të mëdha moskovitësh.

Marshime e protestuesve ishin tepër paqësore, e megjithatë policia iu përgjigj me brutalitet. Ajo jo vetëm që dhunoi dhe arrestoi protestuesit, por goditi edhe kalimtarët e rastit, turistët, dhe madje edhe pjesëtarë të policisë sekrete, të cilët nuk mundën t’i dallonin nga protestuesit e zakonshëm.

Në total, një numër rekord prej 1.400 personash u arrestuan më 27 korrik, dhe 1.000 të tjerë më 3 gusht. Por për presidentin Vladimir Putin, kjo nuk ishte e mjaftueshme. Autoritetet kanë nisur tashmë paditë kundër protestuesve, me akuzën e “trazirave të mëdha”.

Njëri prej të paditurve është Egor Zhukov, student në Shkollën e Lartë të Ekonomisë (HSE) në Moskë. Ai akuzohet për “organizim” të trazirave, pasi u shfaq në një video, duke iu bërë thirrje protestuesve që ecnin pas tij, që të ktheheshin djathtas.

Një tjetër “organizator” i akuzuar është Sergei Abaniçev, që hodhi një top prej letre kundër policisë. Shumë të tjerë janë arrestuar me akuza të ngjashme, dhe tani rrezikojnë të dënohen deri në 8 vjet burg. Më 3 gusht, u njoftua se prokuroria ka ngritur një akuzë zyrtare ndaj Fondacionit Kundër Korrupsionit të liderit të opozitës, Aleskei Navalni për pastrimin e afro 1 miliardë rublave (15.3 milion dollarë).

Fondacioni, që fokusohet në denoncimin e praktikave korruptive të zyrtarëve rusë, merr donacione të shumta nga mijëra qytetarë të zakonshëm, që e mbështesin vazhdimisht punën e tij. Por ky fakt, bashkë me provat që do të serviren në mbrojtje të Navalnit dhe stafit të tij, nuk ka gjasa të ndikojë në rezultatin e këtij gjyqi.

Tek e fundit, ky proces është menduar të jetë një masë frikësuese, që synon të frikësojë opozitën. Por për çdo aksion, ekziston një reagim i barabartë dhe i kundërt. Njerëzit janë duke u përgatitur për një protestë të tretë të madhe, pavarësisht refuzimit të autoriteteve për t’u dhënë leje.

Figura të ndryshme publike, janë duke u shprehur gjithnjë e më shumë në mbështetje ndaj protestuesve, përfshirë ish-tenistin e famshëm Jevgeni Kafelnikov, që mori pjesë në demonstratat e fundit. Ikona e muzikës rrok,  Andrei Makareviç dhe reperi Noize MC, i kushtuan këngë protestuesve, duke kritikuar brutalitetin e policisë.

Tensionet janë në rritje edhe në kampuset universitare. Pas arrestimit të Zhukov, studentët e tjerë të HSE, organizuan protesta në mbështetje të tij. Edhe zv/rektorja e universitetit,Valeria Kasamara, që garon në zgjedhjet lokale, njoftoi gatishmërinë e saj për të dalë garant i studentit të saj, në mënyrë që ai ta ndjekë gjyqin e tij nga arresti shtëpiak, dhe jo nga qelia.

Të gjithë hamendësojnë se çfarë do të ndodhë më pas, por duket se ka të paktën dy skenarë. Ose Kremlini do të jetë në gjendje të shtypë protestat me forcë, dhe publiku rus do të bjerë sërish në letargjinë e tij politike, ose situata do të përshkallëzohet, veçanërisht nëse Navalni do të dënohet me burg, dhe nëse protestat do të përhapen jashtë Moskës në rajone të ndryshme të vendit.

Nëse ndodh skenari i dytë, Putin, filozofia politike e të cilit për 20 vitet e fundit nuk ka bërë asnjë lëshim, do të kishte vetëm një rrugëdalje:Të shpallte gjendjen e emergjencës kombëtare, dhe të ndëmarrë rrte një fushatë represive, duke arrestuar mijëra njerëz, përfshirë gazetarë, aktivistë të të drejtave të njeriut, avokatë dhe punonjës të OJQ – në një sulm të ngjashëm me atë që ndodhi në Turqi, pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në korrikun e vitit 2016.

Veprimet e autoriteteve lokale gjatë javëve të fundit, tregojnë se presidenti mund të jetë më pranë ndjekjes së skenarit të dytë. A do ta ndihmojë kjo që të vazhdojë të qëndrojë në pushtet? Këtë do ta tregojë vetëm koha.

Shënim:Roman Dobrokhotov është gazetar aktivist civil nga Moska. Ai është kryeredaktori i portalit “Insider”.

Submit a comment