Kredia 150 milionë usd e BB-së, projektet në shpërndarje

baPaketa financiare nga Banka Botërore për rimëkëmbjen e sektorit energjitik shqiptar me vlerë 150 milionë usd, përfshin investime në sektorin e shpërndarjes, sistemit të matjes dhe menaxhimit me qëllim, përmirësimin në furnizimin me energji elektrike dhe reduktim të humbjeve.
Investimet do të fokusohen në rrjet, në stacione, sisteme matje dhe në përmirësim të menaxhimit kryesisht në qarqe dhe zona me konsum të madh të energjisë si nga bizneset, edhe familjarët, si Tirana, Durrësi, Shkodra, Fieri, Vlora.
Brenda këtij muaji, pritet që Bordi i Bankës Botërore të miratojë kredinë prej 150 milionë usd, më pas, do të miratohet në Kuvend duke i hapur rrugë zbatimit të projekteve, për të cilat është punuar së bashku me BB-në, thanë për ATSH-në burime zyrtare të MEI-t.
Kjo paketë, që pritet të pasohet me mbështetje financiare dhe nga institucione financiare ndërkombëtare, synon realizimin e reformës në sektorin energjetik, që përfshin kombinim të masave të forta rregullatore, ligjin e ri për sektorin e energjisë elektrike, që do të shkojë së shpejti në Kuvend, parashikon ndryshimin e modelit të tregut, etj, bëjnë të ditur për ATSH burime nga ministria e Energjisë dhe Industrisë.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment