KQZ i jep mandatin e deputetit katër kandidatëve

kqzPas lënies së mandatit të deputetit nga katër ministra të qeverisë ‘Rama’, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u mblodh të martën për të vijuar procedurat ligjore përkatëse me zëvendësimin e tyre me emrat pasardhës në listat respektive.

Në mbledhjen e sotme, KQZ miratoi me 4 vota vendimin për dhënien e mandatit të deputetit të Kuvendit kandidatit të listës shumemërore të PS-së, në qarkun Tiranë, Erjeta Alhysa. Ky vendim u mor pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të Ditmir Bushatit, ministër i Jashtëm.

Gjithashtu, KQZ i dha mandatin e deputetit në qarkun Tiranë, kandidatit të radhës në listën e PS-së, Ervin Bushati, duke plotësuar kështu vakancën e njoftuar nga Kuvendi, pas heqjes dorë nga mandati i deputetit të Saimir Tahirit, ministër i Brendshëm.

Me të njëjtën procedurë KQZ i dha mandatin e deputetit në qarkun e Elbasanit, Luljeta Arapit, që zëvendësoi Damian Gjiknurin, ministër i Energjitikës, i cili u dorëhoq nga mandati i deputetit.

Po ashtu, Anila Agalliu do të jetë deputetja e re e PS-së në qarkun e Beratit, duke zëvendësuar në këtë detyrë, Ermonela Felaj, pas marrjes nga kjo e fundit të postit të ministres për Marrëdhëniet me Parlamentin.

Dorëzimi i mandatit të ministrave u bë në përmbushje të zotimit politik të mazhorancës për të shmangur funksionet e dyfishta.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment