Kosovë – Nesër seanca konstituive e Kuvendit

Kuvendi i KosovësKuvendi i Kosovës do të mblidhjet nesër në orën 10.00 në seancë konstituive për të zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e Parlamentit.

“Zgjedhja e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit”, është pika e vetme e agjendës së vazhdimit të seancës plenare konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nesër, më 12 shtator, në orën 10.00. Seanca ka nisur më 17 korrik, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit.

Njoftimi zyrtar për vazhdimin e seancës është dhënë nga Kuvendi, ndërsa edhe kandidati i koalicionit paszgjedhor për Kryeparlamentar, Isa Mustafa, bën të ditur sot në Facebook se, “nesër është vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës”.

Para vazhdimit të seancës, koalicioni i lidhur një ditë pas zgjedhjeve të 8 qershorit, LDK-AAK-Nisma, dje me Lëvizjen Vetëvendosje kanë nënshkruar “’Marrëveshjen mbi Parimet’ për shtetin dhe qeverisjen” dhe synojnë që së bashku të zgjedhin Kryetarin e Kuvendit, Kryeministrin dhe Qeverinë e re të Kosovës. “Në këtë seancë po shkojmë më të bashkuar se kurrë për të gjetur zgjidhje për ndërtimin e institucioneve demokratike, për të hapur perspektivën zhvillimore të vendit dhe për ta ruajtur dhe fuqizuar partneritetin me SHBA dhe vendet e BE-së”, thekson Mustafa.

Kryetari i LDK-së, akademik Mustafa, nesër në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, sipas paralajmërimeve nga koalicioni paszgjedhor, pritet të rivotohet për Kryeparlamentar, pasi më parë të votohet kandidati i koalicionit parazgjedhor, për të cilin thuhet se nuk do ketë numrin e nevojshëm të votave.

Ndërsa Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës njëzëri vendosi që kandidat i PDK-së dhe koalicionit të saj për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës të jetë Prof. Dr. Arsim Bajrami, si kandidaturë e vetme, është njoftur në një deklaratë zyrtare.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment