Kosova në pritje të marrëveshjes përfundimtare PDK-LDK

kosovaPas dy ndërprerjeve e një shtyerje, nuk ka ende ftesë zyrtare nga kryesuesja për rivazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës të hënën e 8 dhjetorit, ditën kur bëhet plot gjysëm viti nga zgjedhjet parlamentare të parakohshme të 8 qershorit, shtatë muaj nga vetëshpërndarja në 7 maj e legjislaturës së katërt e zgjedhjeve të jashtëzakonshme të para katër viteve, 12 dhjetorit 2010.
Dita për rivazhdimin e seancës së Kuvendit u “caktua” nga media, pasi liderët e PDK-së e LDK-së, në takimin te Presidentja e Republikës në 25 nëntor paralajmëronin se “subjektet e tyre politike dhe grupet e punus për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t’i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar në 8 dhjetor 2014”.
Por, deri tek rivazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës ka ende rrugë për t’u bërë, edhe pas kthimit nga Nju Jorku të kryeministrit Hashim Thaçi, udhëtimi të cilit për në mbledhjen e KS të OKB-së shtyu nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare PDK-LDK të paralajmëruar për të martën e kësaj jave, ndërkohë që ende ajo nuk ishte e finalizuar në ndarjen e pushtetit dhe veçmas për atë se kush do jetë kryeministri i ardhshëm.
Vetëm LDK-ja është ajo që ka deklaruar se lideri i saj, Isa Mustafa do jetë kryeministri i ardhëshëm i Kosovës, pas pajtimit në parim me PDK-në për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak në mbrëmjen e 19 nëntorit. Në anën tjetër, zyrtarë nga PDK kanë vazhduar të deklarojnë se lideri i tyre, Hashim Thaçi, është i nominuari për kryeministër i partisë së tyre fituese e zgjedhjeve të 8 qershorit.
Ndërsa, lideri i PDK-së, Thaçi, kryeministër drejt përfundimit të mandatit të dytë, mbrëmë paralajmëronte se “ditët e para të javës që vjen do të sjellin institucionet e reja në Kosovë, të dala nga zgjedhjet demokratike dhe nga marrëveshja gjithpërfshirëse e koalicionit në mes të PDK dhe LDK”.
Sipas tij, finalizimi i marrëveshjes së partnerëve të koalicionit do të kryhet gjatë kësaj fundjave “kur do të shpaloset edhe arkitektura e re qeverisëse”.
Lideri i PDK-së, Thaçi, poashtu paralajmëron se, “muajin dhjetor do ta përdorim për punë intensive në Kuvend dhe Qeveri për të implementuar prioritetet”.
Por, në të njëjtën kohë, nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, ka përmendur edhe alternativën që rivazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të shtyhet deri në fillimin e vitit 2015. “Pres që të hënën e ardhshme ose në fillim të vitit të ardhshëm të thirret seanca”, ka thënë ai, duke ritheksuar se “LDK-ja do të jetë ajo që do ta udhëheqë qeverinë e Kosovës”.
“Nuk kemi hyrë në koalicion pa postin e kryeministrit. LDK nuk do ta lëshojë postin. Nëse LDK e lëshon, unë nuk do të jem pjesë e saj”, ka deklaruar Rugova për median.
Megjithatë, shtypi i sotëm kosovar paralajmëron se PDK dhe LDK “pritet të firmosin më së largu të dielën marrëveshjen për koalicionin qeverisës, për mandatin e ardhëshëm katërvjeçar”, duke shtuar se “grupet punuese tashmë kanë finalizuar draftin e Programit qeverisës” dhe se “subjektet janë akorduar edhe për ndarjen e pushtetit”. Sipas “një burimi” të shtypit, “marrëveshja mund të firmoset edhe gjatë ditës së shtunë nga liderët e të dyja partive” dhe “kësisoj, të hënën do të mund të zhvillohet seanca konstituive”.
“Marrëveshja PDK-LDK firmoset në fundjavë”, “Programet u harmonizuan, pritet ndarja e ministrive”, “Dita ‘D’ për koalicionin PDK-LDK”, janë disa nga kryetitujt e gazetave të sotme në Kosovë.
“Liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, e pret një punë e vështirë pas kthimit nga Nju-Jorku” pasi, sipas shtypit, “në pasditen e së shtunës pritet të takohet me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, për ta finalizuar marrëveshjen”.
“Në këtë takim përfundimisht do të vendoset për emrin e kryeministrit të ri” dhe “gjithçka vendoset në takimin e së shtunës, ose nënshkruhet koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së për bashkëqeverisje, ose prishet marrëveshja”, ka thënë një “burim i gazetës”.
Ndërsa, një gazetë ngriti edhe pyetjen: “A po dështon koalicioni PDK-LDK?!”, duke paralajmëruar se të shtunën do të takohet Kryesia e LDK-së “për të diskutuar dhe qartësuar gjërat”, pasi “ende ka paqartësi për mënyrën e realizimit të marrëveshjes për bashkëqeverisje” me PDK-në.
Megjithatë, në Kosovë, dy partitë më të mëdha edhe përnga rivaliteti, PDK dhe LDK, edhe pse ende ka paqartësi rreth marrëveshjes përfundimtare, pritet të jenë për herë të tretë në bashkëqeverisje.
Të parat zgjedhje parlamentare të 17 nëntorit 2001, sollën për herë të parë edhe koalicionin-bashkëqeverisjen e spektrit të gjerë politik, ku ishin LDK dhe PDK. Fituesja e zgjedhjeve, LDK kishte dy nga tre postet kryesore, presidentin dhe kryeparlamentarin, ndërsa partia e dytë PDK kryeministrin. Nga LDK, president i Kosovës u zgjodh Ibrahim Rugova, ndërsa nga PDK kryeministër Bajram Rexhepi, në seancën e 4 marsit 2002, pas marrëveshjes që u arrit rreth 3,5 muaj pas zgjedhjeve. Para marrëveshjes, në seancën konstituive, kryetar i Kuvendit të Kosovës ishte zgjedhur Nexhat Daci, nga LDK.
Në koalicionin e dytë PDK-ja ishte fituese e zgjedhjeve dhe mori postet e kryeministrit dhe kryeparlamentarit, ndërsa LDK, parti e dytë, postin e presidentit. Nga PDK, kryeministër u zgjodh Hashim Thaçi, kryparlamentar Jakup Krasniqi, ndërsa nga LDK president Fatmir Sejdiu. Ishte ai koalicioni i legjislaturës së tretë, e cila ka hyrë në histori me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në 17 shkurt 2008.
Në koalicionin-bashkëqeverisjen e tretë, të zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, PDK hyn si parti fituese, e cila në koalicionin parazgjedhur me katër parti të vogla fioi 37 mandate deputetësh, ndërsa LDK si parti e dytë me 30 deputetë. Si do ndahen postet do mund të dihet zyrtarisht pas nënshkrimit të marrëveshjes përfundimtare mes kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, që pritet të ndodhë në një takim të ri të tyre, mbase brenda orësh, ndërkohë që grupet e përbashkëta të punës për finalizimin kanë zhvilluar takime intensive.
Drejt bashkëqeverisjes së re PDK-LDK, Thaçi dhe Mustafa deri tash kanë pasur katër takime, duke nisur me atë të pajtimit në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak në mbrëmjen e 19 nëntorit.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka nisur e është ndërprerë në 17 korrik, është rindëprerë në 18 shtator dhe është shtyrë në 2 tetor, pasi gjatë këtyre zhvillimeve koalicioni parazgjedhor nuk kishte numrin e mjaftueshëm të votave për të zgjedhur kryeparlamentarin, ndërsa koalicioni paszgjedhor nuk kishte të drejtën për të propozuar kandidatin, sipas aktgjykimit të Kushtetueses.
Koalicioni më i ri PDK-LDK pasoi si një lëvizje vendimtare që hapi mundësitë për krijimin e institucioneve të vonuara tashmë gjashtë muaj pas zgjedhjeve dhe “shkriu akullnajën” e “ngrirjes” politike kosovare, gjatë së cilës liderët e koalicionit paszgjedhor nuk takoheshin as komunikonin me koalicionin parazgjedhor.

Submit a comment