Korrupsioni lindi në selitë e partive politike

corruptionPërmbysja e komunizmit dhe kalimi në një shoqëri të re të demokracisë pluraliste, shtetit juridik dhe i ekonomisë së tregut, ishte një përvojë e re për Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo ishte përvoja e kalimit nga shoqëria komuniste, e cila u përhap veçanërisht pas përfundimit të Luftës së Dyte Botërore në formën e një sistemi të ri shoqëror, në shoqërinë e tregut, në shoqërinë kapitaliste.

Kalimi nga kjo shoqëri në atë të demokracisë pluraliste dhe të ekonomisë së tregut, që u montua në vendet e ish lindjes komuniste, përfshi dhe vendin tonë, u krye në kushtet e një mungese thuajse të plotë të një programi konkret. Madje u krye me një ngutje e shpejtësi të madhe për të zvogëluar në maksimum kostot ekonomike e sociale. Në vendin tonë ky proces u krye në përgjithësi paqësisht, veçanërisht mbas deklaratës skandaloze “të gjithë jemi bashkëfajtorë e bashkëvuajtës!”. Ky proces u krye si një vepër e popullit që e kërkoi ndryshimin shoqëror. Instalimi i gjymtyrëve të ekonomisë së tregut në vendin tonë edhe pse me një “monitorim” nga afër të organizmave e organizatave ndërkombëtare, u krye në kushtet e një mungese të një legjislacioni të plotë dhe gati për 6-7 vjet u mbështet në një paketë të ligjeve kushtetuese dhe në kushtet e një mungese thuajse totale të një klase të re politike. Politikanët që u vunë në krye të partive “antikomuniste” kishin pak ose aspak njohuri rreth sistemit të ri që do të ndërtohej, ai i ekonomisë së tregut.
Në këto kushte krijimi i pronës private dhe i gjithë procesi i privatizimit e i kthimit të pronave u krye i ndihmuar dhe nga ligji famëkeq 7501. Zhvatja e pasurisë kombëtare, vjedhja, përvetësimi, spekulimi me mjete dhe mënyra abuzive e korruptive etj, të justifikuara nga nevoja e krijimit të pronës private, të pronarëve të rinj e të një klase të re të “djathte” në vendin tonë, krijoi kushtet me një shpejtësi marramendëse, për lindjen dhe përhapjen e shpejtë të fenomenit kanceroz të korrupsionit. U shkatërruan në një kohë rekord të gjitha uzinat, fabrikat, kombinatet që nga ajo e metalurgjikut në Elbasan, e autotraktorëve në Tiranë, e tekstileve në Berat e Tiranë, e telave në Shkodër, e superfosfatit në Laç, etj, etj. Një masakër e vërtetë mbi industrinë shqiptare të ndërtuar me djersën dhe gjakun e popullit gjatë 50 viteve të regjimit komunist. Ky fenomen i mori me shpejtësi tronditëse të drejtën qytetarisë për të reaguar dhe u shoqërua me një përshtatje, pajtim apo një ndjesi thuajse të domosdoshme, e për disa politikanë dhe të ligjshme. Korrupsioni u bë edhe më i rrezikshëm kur u shfaq edhe në formën e korrupsionit qeveritar apo shtetëror nga drejtues të ardhur nga klasa e re politike e formuar në selitë e reja të partive të krijuara me kujdes e në zbatim të porosive të Katovicës nga Ramiz Alia.
Duhet të pohohet thjesht dhe qartë se kjo ka qenë dukuri dhe sjellje e qeverisjes në këto 23 vite tranzicion, pavarësisht se cila parti e madhe apo në bashkëpunim me të vogla ka udhëhequr. Edhe pse socialistët akuzojnë demokratët se ishin ata që e instaluan dhe e bënë galopant korrupsionin, apo demokratët që akuzojnë qeverisjet socialiste se shtratuan korrupsionin kanceroz në Shqipëri, e vërteta e hidhur është se qeverisjet e tranzicionit e pollën, e mbollën e ushqyen dhe u ushqyen e u majmën prej tij, e shtrinë pothuajse në çdo qelizë të shoqërisë. Që nga format më të thjeshta të korrupsionit e deri në ato më të rëndat e më të rrezikshmet, si vjedhja dy herë e thesarit të shtetit dhe Bankës së Shqipërisë, i gjen sot rëndom në realitetin shqiptar, madje dhe të nënvizuara në raportet e organizatave serioze ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë.
Klasa politike e instaloi këtë sëmundje kanceroze deri edhe te institucioni që duhet ta luftojë atë me vendosmëri – sistemi i drejtësisë. Rëndom e dinë të gjithë në Shqipëri, se drejtësia është e sëmurur rëndë nga korrupsioni. Kjo rrethanë, si dhe mungesa e vizionit, vullnetit, vendosmërisë së qeverisjeve shqiptare për ta luftuar korrupsionin deri më sot, i kanë lodhur e i kanë dezilizionuar edhe më optimistët që kanë shpresuar se do ti vihej fre kësaj sëmundje gjithëpërfshirëse. Madje fatkeqësisht ka një përshtatje dhe një qetësi nga dëshira e çdo qytetari për të jetuar, për tu punësuar, për tu arsimuar, për tu kuruar nga sëmundjet, ka një lodhje nga pritja e izolimit të kësaj sëmundjeje të madhe e një fatalitet të dorëzimit të qytetarëve përpara korrupsionit. Kjo përbën dhe shqetësimin më të madh për të patur shpresë se, në një të ardhme të afërt do të shërohemi nga kjo sëmundje. Është vërtet fatkeqësi kur konstatohet në propagandën elektorale evidentimi i një vizioni e programi serioz, i cili fokuson një luftë të vendosur e efektive kundër “kancerit korrupsion”. Por kjo shuhet menjëherë mbas përfundimit të zgjedhjeve dhe bashkëjetesa me korrupsionin vazhdon normalisht e qetësisht. Nuk mund të bëjmë asnjë hap cilësor përpara nëse nuk jemi të vendosur e nuk bashkojmë forcat për të mundësuar një luftë çrrënjosëse të korrupsionit.
Foleja e korrupsionit, në sistemin e ri demokratik të cilin kemi 23 vite që duam të ndërtojmë, lindi në selitë e partive politike e prej andej nisi të shpërndahet në çdo qelizë të jetës. Kështu që edhe lufta kundër korrupsionit duhet të nisë të luftohet e të shkatërrohet në selitë e partive politike. A nuk ishin selitë e partive të mëdha politike që shpërndanin viza për të udhëtuar jashtë Shqipërisë që në orët e para të proceseve në vitet 92-93? A nuk ishin dhe janë selitë e partive politike zyrat ku punësohen qytetarët? A nuk janë selitë e partive politike zyrat ku ndahen postet në administratë, ku hartohen listat për deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë, etj, etj? Kur ndonjëherë selitë e partive pyetën elektoratin e një zone apo të një qyteti për një kandidat për deputet apo kryetar bashkie? A nuk dalin para të thata me shumicë nga selitë e partive në kohë fushatash? A nuk duhet të paguash në selitë e partive për një vend pune apo për një deputet a kryetar bashkie? Korrupsion ngado që ta kthesh kokën. Tashmë dihet ku fle korrupsioni. Mos u lodhni të na bindni se është në drejtësi, në shëndetësi, në polici, në ekonomi, etj. Pa mbështetjen e selisë së partisë në pushtet apo në opozitë askush nuk guxon të hedhë një hap korruptiv, një ndërtim pa leje, një fushë me kanabis, etj. Konkluzioni im është:Drejtuesit e partive të mëdha nëse duan mund ta luftojnë korrupsionin. Është plotësisht në dorën e tyre. Në të kundërt edhe në Shqipëri duhet të ndodhë ajo që ka ndodhur në vendet e lindjes ish komuniste. Të gjitha partitë që lindën në vitet 90 në zbatim të skemës së Katovicës nuk janë më as në pushtet e as në opozitë, madje disa prej tyre kanë pushuar së funksionuari. Parti të reja e me frymë të re kanë zënë vendet e tyre.
ZEF BUSHATI

Submit a comment