Koronarografia, pacientët shërbim falas në spitalet private

shendetiPacientë të ndryshëm të cilët prej disa muajsh ishin në listën e pritjes për të kryer koronarografinë e zemrës, prej ditësh kanë filluar ta marrin këtë shërbim edhe
në spitalet private, me të cilat është lidhur kontrata.

Drejtori i Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Astrit Beci, ka asistuar dje gjatë procesit të koronarografi së së një pacienti të regjistruar në listë pritje por që shërbimin e ka marrë në një nga spitalet private. “Në spitalet ku ndodhemi tani janë bërë deri tani 5 rastet e para së bashku me ekspertë specialistë të Fondit. Organizuam sot një vëzhgim të këtyre qendrave.

Kontaktuam me pacientët për të parë sa të kënaqur ishin me shërbimin e marrë dhe sa kishte qenë ky përfitim. Konstatuam që të gjithë deri tani kanë përfituar nga procedurat me sukses të plotë dhe, kushdo që ka nevojë për procedurat e tjera në vazhdim, do të përfitojë nga paketat për procedurat e tjera”, u shpreh Astrit Beci. Sipas tij, janë 150 pacientë gjithsej, që do të përfitojnë shërbime të Kardiologjisë falas në spitalet jopublike, të cilët do të shpërndahen në mënyrë të barabartë në 5 spitalet, që kanë kontratë me Fondin.

“Lista e pritjes së kornarografisë rezultonte të kishte 500 pacientë, prej të cilëve rreth 100 pacientë gjatë këtij viti do të mbulohen nga shërbimi i Kardiologjisë pranë QSUT-së, dhe rreth 150 të tjerë po dalin nga kjo listë pritjeje me shërbime të bëra. Çka do të thotë se brenda vitit kalendarik ne do të arrijmë të përgjysmojmë listën e pritjes të Kardiologjisë”, vijoi Beci. Këtë javë priten të fillojnë edhe ndërhyrjet kirurgjikale, si dhe transplantet renale, ku pacienti nuk paguan asgjë, edhe pse shërbimin e merr në një institucion privat. 

Submit a comment