Koreja e Veriut nuk do denuklarizohet nëse SHBA nuk tërheq kërcënimet

Koreja e Veriut nuk do të heqë kurrë dorë nga armatimet bërthamore në rast se SHBA nuk tërheq kërcënimin e vet bërthamor.

Kjo është një deklaratë ‘bombë’ që mund të përkeqësojë diplomacinë e brishtë mes Washingtonit, Seulit dhe Penianit për të çrrënjosur krizën bërthamore.

Deklarata e agjencisë zyrtare koreane të lajmeve erdhi mes bllokimit të negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut lidhur me procesin e denuklarizimit dhe heqjen e sanksioneve ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara tani duhet të njohin kuptimin e saktë të denuklarizimin e gadishullit Korean, dhe sidomos, duhet të studiojnë gjeografinë,”-thuhej në deklaratë.

“Kur flasim për Gadishullin Korean, ajo përfshin territorin e republikës sonë dhe gjithashtu të gjithë rajonin e (Koresë së Jugut) ku Shtetet e Bashkuara kanë vendosur forcat ushtarake, duke përfshirë edhe armët bërthamore. Kur flasim për denuklarizimin të plotë të gadishullit Korean, kjo do të thotë heqjen e të gjitha burimeve të kërcënimeve bërthamore, jo vetëm në Jug dhe Veri, por edhe nga zonat fqinje me gadishullin Korean.”

Vendimi i Koresë së Veriut ngre dyshime të mëtejshme nëse Kim Jong Un do të heqë ndonjëherë dorë vullnetarisht nga arsenali bërthamor, që mund ta shohë si një garanci të fortë për mbijetesën e vendit të tij, më shumë sesa çdo lloj sigurie që mund ti ofrojnë Shtetet e Bashkuara.

Kim dhe Presidenti Donald Trump u takuan më 12 qershor në Singapor, ku ata lëshuan një deklaratë të paqartë për “denuklarizimin e plotë” të Gadishullit Korean pa e përshkruar se kur dhe si do të ndodhte.

Submit a comment