Komuniteti Mysliman Shqiptar reagon ndaj qëndrimeve antiislame

kmsh“Komuniteti Mysliman i Shqipërisë vëren me keqardhje që ditët e fundit është shtuar ndjeshëm gjuha e urrejtjes dhe islamofobisë nga individë të ndryshëm, të cilët herë me emra realë e herë të fshehur pas pseudonimeve të ndryshme, e kanë shprehur këtë haptazi në rrjetet sociale, por edhe në organet e masmedias.

Gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit fetar ndaj secilit besim në Shqipëri është njëkohësisht goditje ndaj themeleve të harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare, për të cilën krenohemi të gjithë në sytë e botës.

Këto vlera natyrisht që së bashku me bukurinë e tyre ruajnë edhe amanetin e vijueshmërisë, duhet të ruhen e trajtohen me delikatesë e respekt” – thuhet në deklaratë e publikuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.

Gjithashtu Komuniteti Mysliman i Shqipërisë u bën thirrje të gjithë besimtarëve myslimanë që të mos bien pre e provokimeve të ndryshme dhe gjuhës së urrejtjes që amplifikohen përmes rrjeteve sociale apo organeve mediatike dhe të jenë të vetëpërmbajtur në reagimet e tyre, sikurse këshillon edhe feja Islame.

Ky apel iu është drejtuar të gjithë moderatorëve të rrjeteve sociale dhe drejtuesve të redaksive në media, që të tregohen të kujdesshëm dhe më të përgjegjshëm në publikimet e tyre, që të mos lëndojnë ndjeshmëritë e besimtarëve të asnjërës bashkësi fetare.

Kujtojmë se disa ditë më parë, Maks Vleo, i njohur në Shqipëri për qëndrimet e tij antiislame dhe krahinore sidomos i veriut të Shqipërisë botoi në disa media shqiptare një artikull me titull “Pse jam antiverior dhe antimysliman”.

Ky artikull ngjalli reagime të ndryshme në media, rrjetet sociale, por edhe më gjerë për shkak se qëndrimet e tij u konsideruan si përçarëse dhe me frymën e gjuhës së urrejtjes.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment