Komisioni i Ligjeve: Komision hetimor për hetimin e dy anëtarëve të KLD-së

kldKomisioni i Ligjeve u mblodh sot pasdite në orën 17:00, për të shqyrtuar kërkesën e 39 deputetëve të maxhorancës për shkarkimin e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Elvis Çefa dhe Lulzim Lelçaj, me argumentin se kanë shkelur rëndë ligjin.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, deklaroi në nisje se ky komision ka funksion procedural dhe jo hetimor, prandaj u propozua ngritja e një komisioni hetimor për ngjarjen në fjalë, kërkesë kjo që do i kalojë Kuvendit.

Sipas Xhafaj, vendimin pë ngritjen e një komisioni hetimor, për të hetuar dy anëtarët e KLD-së, pritet ta marrë Kuvendi. “Për ngritjen e një komisioni vendoset në seancë plenare”, tha Xhafaj.

Nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa dhe anëtari Lulzim Lelçaj janë paraqitur në mbledhje 30 minuta pasi ajo kishte filluar nga puna.

Më herët Çefa ka konfirmuar pjesëmarrjen në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve duke thënë se do japë shpjegime për punë e tij në KLD. Në kërkesën e tyre deputetët e shumicës së majtë shprehen se nënkryetari i KLD-së, Çefa dhe anëtari Lelçaj, ndryshe nga detyrimi për të përçuar në KLD vullnetin dhe besimin e Kuvendit, kanë lejuar dhe janë bërë pjesë e shkeljeve të rënda në veprimtarinë e këtij institucioni. Deputetët e maxhorancës rendisin 10 shkelje të rënda të ligjit, ku nënkryetari Çefa dhe anëtari Lelçaj me veprimet dhe mosveprimet janë pjesë e tyre.

Ndër shkeljet e KLD-së, deputetët rendisin dhe mosmarrjen në shqyrtim të kërkesave të ish-kryetares së Gjykatës së Lartë dhe ish-Prokurores së Përgjithshme. Dy anëtarët e KLD-së janë propozuar nga Kuvendi. Elvis Çefa u zgjodh anëtar më 12 prill 2012, ndërsa më 7 gusht 2012 u emërua në postin e nënkryetarit, ndërsa Lulzim Lelçaj u miratua nga parlamenti në postin e anëtarit të KLD-së më 25 prill 2013.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment