KMSH dhuron mjete shkollore për Shtëpinë e Fëmijës “Zyber Hallullit”

kDrejtoria e Çështjeve Sociale në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë zhvilloi sot një aktivitet me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2014 -2015, ku dhuroi çanta dhe mjete shkollore për fëmijët, si dhe mjete didaktike për stafin mësimor dhe edukativ të Shtëpisë së Fëmijës, “Zyber Hallulli”.

Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Bujar Spahiu, i’u uroi fëmijëve një vit të mbarë shkollor dhe suksese në rrugëtimin e tyre drejt dijes.

“Jam shumë i lumtur që marr pjesë në këtë aktivitet dhe që më jepet mundësia të dorëzoj këto dhurata. Çantat që do të merrni sot kanë brenda të gjitha mjetet për një vit shkollor. Ndihma dhe mbështetja jonë nuk do t’ju mungojë”,  tha Spahiu.

Komuniteti Mysliman ka menduar edhe për stafin e kësaj qendre, duke i siguruar mjetet e duhura, që do t’ua bëjnë më të lehtë mësimdhënien.

Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijës, Zhaneta Beqiri vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Komuniteti Mysliman tregon për fëmijët e këtij institucioni.

“Nuk është hera e parë që KMSH ndihmon këta fëmijë, me qëllim për të kontribuar në miredukimin dhe arsimimin e fëmijëve tanë. Dhuratat e sotme janë një element i shtuar që konsistojnë në çantë shkolle dhe mjete didaktike, që edhe edukatoret ta kenë punën më të lehtë në edukimin dhe arsimimin e fëmijëve”, u shpreh Beqiri.

Ky aktivitet nisi me një program artistik me këngë e vjersha, të përgatitura nga fëmijët e qendrës , vijoi me shpërndarjen e dhuratave dhe u përmbyll me një koktejl e një foto të përbashkët  të të gjithë pjesëmarrësve.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment