Kaos me garën, federata shtyn sërish

federataKaos me kategoritë inferiore në Shqipëri. Pas shtyrjes së parë të Kategorisë së Parë javën e kaluar, ky kampionat nuk do të nisë as sot. Gjithashtu, është shtyrë edhe Kategoria e Dytë, që ishte parashikuar për të startuar nesër. Në një kohë që rrjedhimisht nuk do të zhvillohet as faza e parë eliminatore e Kupës së Shqipërisë. Klube në krizë financiare që nuk shlyejnë dot detyrimet ndaj federatës, probleme me forcat e rendit që nuk marrin përsipër ndeshjet në disa stadiume dhe shumë çështje të tjera. Një situatë e tillë nuk ndodh prej shumë sezonesh në Shqipëri.
Vendimi
“Federata Shqiptare e Futbollit njofton klubet, opinionin publik dhe mediat se kampionati kombëtar i Kategorisë së Parë dhe të Dytë nuk do të fillojnë këtë fundjavë. Shtyrja e këtyre aktiviteteve për një afat të pacaktuar (përfshihet edhe Kupa e Shqipërisë) është kryer për disa arsye: Policia e Shtetit nuk merr përsipër që të mbulojë me shërbimet e saj disa ndeshje kampionati në stadiume të caktuara; dokumentacioni i paraqitur nga klubet nuk ka qenë i plotë dhe i detajuar, konform rregullores së FSHFsë; klubet vazhdojnë të mos plotësojnë detyrimet financiare, pa të cilat është e pamundur të fillojë aktiviteti sportiv. Institucioni i futbolli shqiptar, duke njohur përgjegjësitë që ka për organizmin e eventeve dhe marrëdhëniet me klubet, u bën thirrje këtyre të fundit që të plotësojnë të gjithë detyrimet që kanë brenda afateve të përcaktuara. FSHF kërkon nga ana e Policisë së Shtetit që të njohë përgjegjësitë e saj zyrtare dhe të sigurojë rendin në stadiume. Pa garancinë e saj, s’mund të ketë zhvillim normal të aktiviteteve. Shfaqjet e dhunës, të shfaqura deri më tani në stadiumet shqiptare, nuk mund të evitohen pa praninë e forcave të rendit dhe ndërhyrjen energjike të policisë. FSHF është e hapur për të bashkërenduar një plan masash me Policinë e Shtetit për të përballuar denjësisht zhvillimin normal të aktiviteteve futbollistike”, thuhet në njoftimin e FSHF-së.

Shtyrja penalizon klubet
Shtyrja për herë të dytë e fillimit të kampionatit të Kategorisë së Parë po penalizon shumicën e klubeve. Një pjesë e mirë e tyre ka nisur përgatitjet që në korrik dhe, kur kanë kaluar më shumë se dy muaj me seanca stërvitore e faza përgatitore intensive, ishin përgatitur për kampionatin. Në këtë mënyrë, shtyrja ndikon negativisht te lojtarët, pasi përgatitjet janë të programuara dhe ngarkesat për futbollistët janë të përcaktuara. Madje, disa prej përfaqësuesve të skuadrave kanë reaguar ashpër ndaj shtyrjes së federatës. Ata shprehen se nuk mund të penalizohen për shkak të disa klubeve që nuk kanë paguar ende detyrimet. Megjithatë, kjo shtyrje u vjen për shtat 2-3 skuadrave, të cilat i nisën përgatitjet shumë vonë. Kështu, Bylisi dhe Kastrioti zbritën në fushë në fillim të shtatorit dhe vendimet e FSHF-së janë pritur mirë prej këtyre skuadrave që kanë më shumë kohë për të kapur formën.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment