Jo dorëzim, por revoltë morale.

corruptionPushtetarëve të korruptuar e të inkriminuar nuk mund t’u bëjmë dot asgjë. Është e kotë t’i biem rrotull, është e kotë që fshihemi mbas kurajës civile të atyre që i denoncojnë, është e kotë që të kapemi e të shpresojmë pas këmbënguljes së zëdhënësve të par
tive politike, qofshin këta edhe deputetë apo kryetarë partie. Pushtetarët e inkriminuar nuk mund të dënohen, sepse ata së bashku janë më të fortë sesa ligji. Madje, për të qenë më të saktë, ata janë vetë ligji. Të mos ushqejmë asnjë iluzion se “rilindësit” e Ramës apo kushdo qoftë nga të tijtë do të thotë fjalën e fundit e do të largojë një herë e përgjithmonë të inkriminuarit nga qarkullimi. Ta shohim realitetin në sy e t’i themi gjërat siç janë: proceset ndaj të inkriminuarve, në rastin më të mirë kur nuk është vendosur në favor të tyre, kanë ndaluar në një binar të vdekur të drejtësisë sonë, të destinuar që të ndryshken aty duke pritur derisa të vijë dita e të plotësohen afatet e parashkrimit të veprës.

 Dosjet e proceseve ndaj tyre, të zgërlaqura nga tonelatat e pluhurit të shtyrjeve, rigjykimeve dhe sofizmave të sajuara, nga më të zotët ekspertë e avokatë të studiove ligjore që pak mund ta kenë luksin që të mbrohen prej tyre. Procese të frenuara nga mijëra shkopinj që u vihen në rrota, ndërkohë që dëshmitarët dhe akuzuesit e tyre gjenden ndaj presioneve të papara në front të gjerë, nga dhunues të pafund prezentë në çdo hap të jetës modeste të këtyre të fundit. Përballë arrogancës së pushtetarëve ligjvënës, ndoshta pak shërben të përsërisësh frazën: Kjo nuk kishte ndodhur më parë. Por kjo që po asistojmë ditët e fundit e bën vërtet të patolerueshme njollosjen që i bëhet parlamentit shqiptar, pasi kjo e bën të paevitueshme përfundimin e hidhur që shkakton fakti që, një njeri i dënuar për krime mund të jetë deputet. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë, e unë shpresoj që të mos ndodhë më përsëri, që drejtuesi i një partie, t’i kërkojë një deputeti, për më tepër femër, që pasi ka sakrifikuar, ka punuar e premtuar elektoratit, t’i lëshojë vendin një kandidati tjetër, për më tepër mashkull, dhe, si të mos mjaftonte kjo, edhe të dënuar më parë për favorizim prostitucioni.

Nuk ka ndodhur kurrë më parë e unë shpresoj të mos ndodhë përsëri, që ndaj një çështjeje kaq të rëndë të sundojë heshtja totale nga shumica në pushtet. Indiferenca e ortakëria me krimin bëhet edhe më evidente kur flasim për një kryetar partie e një kryeministër që nuk lë rast pa folur e pa na dhënë leksione të vyera, për fasonet, për bujqësinë, për financat, për pensionet, për urbanistikën, për … vetëm për të inkriminuarit në radhët e tij JO. Për ta nuk flitet: ata janë shteti, janë pushteti, janë ligji, madje janë edhe më shumë.

Le të mendojmë për një çast që roli “institucional” i kryeministrit nuk e lejon atë të shprehet për rastin në fjalë, por për koincidencë kryeministri është, për vullnetin politik të tij e të partisë që ai drejton, edhe kryetar i partisë, deputeti i së cilës ka dalë se ka vuajtur dënimin me burg për veprat penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe heqje të paligjshme të lirisë së individit.

Nuk është parë kurrë më parë, e unë shpresoj që të mos shihet kurrë më, një shfaqje e tillë. Gjërat nuk po funksionojnë në gjykimin dhe dënimin e politikanëve tanë të korruptuar e inkriminuar. Madje nuk funksion edhe në përcaktimin e bashkësisë së rregullave që duhet të përcaktojnë përfaqësuesit e popullit. Logjika indiferentiste, ça di unë, është kryetari që përzgjedh e vendos për gjithçka na ka çuar në këtë derexhe. Le të krahasojmë për një moment përfaqësuesit e popullit në parlamentet e mëparshme shqiptare e t’i krahasojmë me këtë aktualin, për të kuptuar më mirë se ku po shkojmë e si po katandisemi.

Për fat të keq, viktimat e këtij indiferentizmi me pasojë këtë mosndëshkueshmëri, jemi ne qytetarët e thjeshtë, jo përfaqësuesit tanë në politikë; sado të inkriminuar, të korruptuar apo të pashkolluar që të jenë, përfitimin e kanë të garantuar. Por përpara e mbi të gjithë, viktima të kësaj situate, janë ata që denoncojnë shkeljet, vjedhjet, krimet, mbasi shohin me sytë e tyre që shpata e Demokleut është tashmë në posedim e përdorim thjesht e vetëm të politikanëve.

Përpara kësaj situate, të ngjall mrekullim nëse një njeri i ndershëm e me mend në kokë do të thoshte: “Këta të heqin edhe dëshirën për të denoncuar e luftuar krimin e korrupsionin”.

Unë, natyrisht, shpresoj tek qytetarët e ndershëm, shpresoj që ata, pavarësisht të gjithave, do të vazhdojnë ta denoncojnë e luftojnë krimin dhe do të kenë besim tek drejtësia. Por, sigurisht që nuk do të mund t’ju kërkojmë atyre me duar të lidhura të luftojnë kundër politikanëve potentë e të korruptuar. Nga ky këndvështrim, sigurisht që, të thuash se deputetit nuk i ndodh asgjë edhe kur është i dënuar për vepra kriminale, ndoshta nuk është dorëzim, por fillimi i një revolte morale.

Artur Çani

Submit a comment