Jahjaga: Kosova në një periudhë të rëndësishme

jahjaga”Po hyjmë në një periudhë të rëndësishme dhe vendimtare për shtetin tonë të përbashkët”, tha sot Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e Këshillit Konsultativ për Komunitete.
“Është në një fazë kur duhet të tregojmë pjekurinë tonë politike dhe kulturën demokratike dhe kur duhet të avancojmë proceset tona të brendshme si dhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Në takimin një ditë para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit, Jahjaga theksoi se, krijimi shpejt i institucioneve tona do të garantojë funksionimin demokratik të shtetit, do të tregojë aftësinë tonë për të menaxhuar krizat dhe gatishmërinë tonë për të gjetur vetë zgjidhjet që do të çojnë drejt përmbushjes së pritjeve të qytetarëve tanë për një shtet të përparuar, të përgjegjshëm dhe të respektuar si dhe pjesë të familjes euroatlantike.

“Garantimi i funksionimit demokratik të institucioneve, nuk nënkupton imponimin e zgjidhjeve nga një institucion tjetër dhe aq më pak ndërhyrje për të instaluar praktika jo kushtetuese në vendin tonë. Kosova është demokraci parlamentare dhe përgjegjësitë e secilit institucion janë të ndara dhe të përcaktuara me Kushtetutë. Po aq sa janë të përcaktuara edhe mandatet dhe kohëzgjatja e secilit prej institucioneve! Por ne do t’i bashkërendojmë veprimet tona për të mirën e vendit, duke ruajtur autonominë e secilit prej institucioneve tona dhe duke garantuar funksionimin më të mirë të tyre”, theksoi Presidentja e Republikës.

“Duhet të mësohemi se Kushtetuta dhe ligjet e vendit janë ato që e bëjnë shtetin dhe ne të gjithë duhet ta kuptojmë se demokracia ka rregulla që duhet të respektohen. Prandaj, zgjidhjet gjenden në mesin e atyre që kanë marrë votën e popullit, në mesin e atyre që kanë përgjegjësi përpara votuesve të tyre, përpara qytetarëve të Kosovës”, u shpreh Presidentja kosovare.

Ka ardhur koha, tha ajo, që të shohim përpara dhe të kujdesemi më shumë për mirëqenien e qytetarëve tanë: për arsimimin, për shëndetësinë, për mundësitë e reja për punësim, për të drejtat e tyre njerëzore, për liritë e tyre, për procesin e bashkëpunimit ndërmjet tyre, për integritetin territorial të vendit, për konsolidimin ndërkombëtar të tij. Prandaj na duhet të vendosim fillimisht bazat e fuqishme të një shteti të së drejtës, ku ligjet tona do të respektohen fillimisht nga ne, udhëheqës të institucioneve, nga ata që janë zgjedhur me votën e qytetarëve, për të përfunduar deri tek vetë qytetarët”, tha Jahjaga.

Na Ndiqni ne FB Banner

Submit a comment